Maqedoni

Zgjedhjet lokale, Ahmeti: Kush do të fitojë, e vendosin qytetarët

07.09.2021 16:03

Teksa partitë kanë bërë publike tashmë shumicën e emrave me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit...

Teksa partitë kanë bërë publike tashmë shumicën e emrave me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit, me interes ndiqet situata në komunat ku ka më shumë kandidatë shqiptarë. Në Kërçovë, krahas kandidatit të BDI-së, do të ketë edhe një kandidaturë të pavarur. Kreu integrist, Ali Ahmeti, thotë se fituesin e zgjedhin qytetarët me votën e tyre.
 
“Fatmir Deari është kandidat nga BDI, kurse Fatmir Limani është kandidat i pavarur dhe vendosin qytetarët më 17 tetor. Për të ardhur deri tek vendimi që Fatmir Deari të jetë kandidat edhe për një mandat janë bërë studime, janë bërë sondazhe dhe ka përkrahjen jashtëzakonisht të madhe nga qytetarët.”,- deklaroi kryetari i BDI–së, Ali Ahmeti.
 
Edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë duke kompletuar listën e kandidatëve për kryetar komunash e kanë bërë publikë emrat për komunat kryesore. Ngjashëm edhe në partitë e tjera shqiptare në pushtet.
 
VMRO–DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella
 
Vazhdojnë ndërkohë përplasjet mes dy partive më të mëdha. VMRO–DPMNE akuzon social demokratët për kandidim të personave të afërt me ta në zgjedhjet lokale pas ikjes së anëtarësisë dhe garimin e disa ish anëtarëve si të pavarur në zgjedhje, përfshi edhe partnerët e koalicionit qeverisës.
 
“Të gjithë e kemi të qartë se mafia në pushtet, punon vetëm për interesa personale të biznesit. Prandaj kandidojnë persona të afërt, sikurse familjarin e Oliver Spasovskit ose partnerin e biznesit të Vice Zaevit.”,- u thonë nga VMRO–DPMNE.
 
Nga LSDM me kundërpërgjigje për politikat fitimprurëse për qytetarët në katër vitetet e kaluara.
 
“LSDM ndërtoi dhe riparoi 60 kopshte, VMRO–DPMNE vendosi 60 përmendore. Qytetarët shumë mirë e dinë se me LSDM-në, paratë kthehen tek qytetarët, ndërkaq me VMRO–DPMNE–në përfundojnë si provizione në xhepat e funksionarëve të tyre.”,- thuhet në kumtesën e LSDM–së.
 
LSDM ka publikuar emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet, ndërkohë që VMRO–DPMNE vetëm 26 prej tyre. Partitë politike kanë edhe pesë ditë në dispozicion për të vendosur dhe për të hartuar listat.
 
MERAL ISMAILI