Maqedoni

VMRO paralajmëron bllokim të kuvendit, Micevski: Pushteti keqpërdor simbolin e BE-së

07.09.2021 16:38

Deputetët e VMRO-DPMNE-së paralajmërojnë bllokim të sërishëm të Kuvendit ...

Deputetët e VMRO-DPMNE-së paralajmërojnë bllokim të sërishëm të Kuvendit për shkak të, siç thonë, keqpërdorimit të simbolit të BE-së nga ana e pushtetit. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të kësaj partie, Nikolla Micevski, pushteti ka futur në procedurë parlamentare 12 projekt ligje me simbolin e BE-së, për të evituar debatin dhe për të ngulfatur opozitën.
 
“Edhe zgjidhja më e vogël ligjore do të bllokohet pasi një keqpërdorim të këtillë klasik të Kuvendit ne si deputetë nuk mund ta tolerojmë. Cili është qëllimi ynë, ose qëllimi i ekzistimit të aq komisioneve amë në Kuvend kur çdo gjë lëshohet të shkojë në Komisionin për Çështje Evropiane.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Vançeva: Opozita kërkon shkas për bllokim
 
Mirëpo deputetët e LSDM-së në pushtet konsiderojnë se VMRO DPMNE vazhdimisht kërkon pretekst për të bllokuar Kuvendin. Sipas tyre, projekt ligjet për të cilat flet opozita kanë për qëllim harmonizimin e ligjeve me legjislacionin evropian dhe se opozita është e informuar për hartimin e tyre.
 
“Gjithmonë mund të gjejmë arsye për të bllokuar por a është e arsyeshme ose jo ia lëmë qytetarëve dhe opinionit të ekspertëve që të vlerësojnë nëse opozita ka të drejtë apo pushteti. Të gjithë ato ligje kanë deklaratë për harmonizim dhe tabela korrespodence ku mund të shihet se çfarë po harmonizohet me legjislacionin evropian.”,- theksoi Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM.
 
Sipas opozitës, mes 12 projekt-ligjeve që pushteti dëshiron t’i fus në Kuvend me simbolin e BE-së është Ligji për Narkotikë, Ligji për Lëndë të para Minerale, Ligji për Ilaçe, Kodi Penal, Ligji për Procedurë Kontestimore, Ligji për Akademi për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë dhe disa ligje të tjera. 
 
SHPËTIM NUREDINI