Maqedoni

30 vjet pavarësi, Osmani: S’ka “nëse” në rrugën drejt BE-së, por “kur?”

07.09.2021 17:10

30 vjetori i pavarësisë e gjeti shtetin me një shoqëri multietnike dhe mulfikonfesionale, e hapur me fqinjët e saj...

30 vjetori i pavarësisë e gjeti shtetin me një shoqëri multietnike dhe mulfikonfesionale, e hapur me fqinjët e saj, e integruar në NATO dhe me aspirata drejt BE-së. Kështu e vlerëson këtë jubile ministri i jashtëm, Bujar Osmani, i cili si arritjet më të mëdha diplomatike por edhe të brendshme, potencoi marrëveshjet me fqinjët dhe marrëveshjen e Ohrit. Por, Osmani është i vetëdijshëm se rrugëtimi i RMV-së drejt BE-së kalon përmes Sofjes, por komunikimi aktualisht është vështirësuar, edhe për shkak të situatës politike atje.  
 
“Ne e dimë që rruga jonë drejt BE-së këtë herë kalon përmes Sofjes, ne vazhdojmë komunikimin. U pajtuam që të kemi një vazhdimësi të takimeve në nivel ekspertësh të vetëdijshëm se pa një qeveri politike në Bullgari askush nuk mund të parashikojë nëse do të ketë një vendim, por unë kërkova të vazhdoj komunikimin në mënyrë që ndërkohë të përpiqemi të kapërcejmë disa dallime. Jam i kënaqur kur shoh se si sllovenët janë aktivë, BE, ne jemi gjithashtu aktivë. Ne do të bëjmë gjithçka të nevojshme brenda pozicioneve të shtetit. 26 shtete anëtare të BE-së besojnë se ne po sillemi në mënyrë konstruktive, me dinjitet dhe na inkurajojnë të vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive në atë rrugë për të gjetur një zgjidhje. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pavarësisht nga agjenda politike ditore. Siç kemi arritur me NATO -n, do të kemi sukses edhe me BE -në. Pra, pyetja nuk është nëse, por kur.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Stove-Dendias: Implementoni marrëveshjet dypalëshe me fqinjët
 
Në këtë përvjetor jubilar të pavarësisë urime erdhën nga shumë   ministra të jashtëm të vendeve mike. Por, shefat e diplomacive të Bullgarisë e Greqisë rikujtuan se rruga drejt BE-së për RMV-në kalon përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Marrëveshjes së Prespës.
 
“Rrugë jo e lehtë na çoi që në vitin 2017 të nënshkruajmë Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Nëse implementohet në tërësi dhe me besim nga të dyja palët, do të sigurojë dashuri për raport të vërtetë dhe ambicioz europian.”,- u shpreh ministri i jashtëm i Bullgarisë, Svetlan Stoev.
 
“Ekziston vullnet i madh tek të dyja palët për të zhvilluar më tepër marrëdhëniet bilaterale, me synim për të arritur potencialin maksimal, të bazuar në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, me konzistencë dhe besim të plotë.”,- tha ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias.
 
Në ekspozitën e hapur nga MPJ, në këtë përvjetor të 30 të pavarësisë së shtetit, u prezantuan marrëveshjet origjinale me Bullgarinë dhe Greqinë, si edhe dokumenti përmes të cilit vendi ynë aplikoi në BE në vitin 2004, i nënshkruar më 26 shkurt nga ish presidenti i atëhershëm, Boris Trajkovski. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU