Botë
Qeveria e talebanëve, reagon ShBA: Ka disa të kërkuar, mungojnë gratë
08.09.2021 13:19
SHBA-ja ka reaguar për herë të parë për qeverinë e parakohshme të shpallur nga talebanët....

SHBA-ja ka reaguar për herë të parë për qeverinë e parakohshme të shpallur nga talebanët. SHBA shpreh shqetësimin për mungesën e grave në qeverinë e re, si dhe drejtimin e saj nga disa figura të kërkuara nga drejtësia amerikane. Kabineti i përkohshëm i talebanëve udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, i cili është në listën e zezë të OKB-së, ndërsa një figurë tjetër është Sirajuddin Haqqani, i cili kërkohet nga FBI. Frikë edhe për shtimin e influencës së ISIS në shtet.
Omar: ISIS nuk është i pranishëm në Afganistan
Por nga qeveria e re thonë se asnjë nga provincat e Afganistanit nuk është nën kontrollin e ISS–it.
"ISIS nuk është i përfshirë në çështjet politike të vendit, për të mos përmendur që ai nuk ka prani në Afganistan. ISIS kërkon të destabilizojë Afganistanin, por nuk ka fuqi ushtarake. Për më tepër, as nuk është në gjendje të përballet me talebanët. Ekziston një ndryshim i madh midis talebanëve dhe ISIS; talebanët nuk kërkojnë të bëjnë ndonjë luftë me vendet e tjera islame, madje edhe Evropën, por përkundrazi, Emirati Islamik dëshiron të ndërtojë marrëdhënie diplomatike me vendet e tjera.",- tha anëtari i Komisionit të Informacionit në Qeverinë e Talibanëve, Ruhollah Omar.
Qeveria e re e talebanëve, afganët i druhen një lufte civile
Teksa qeveria e re u shpall, qytetarët i druhen një lufte të re civile tanimë që talebanët sulmuan forcat e rezistencës në Panjshir.
“Ne po jetojmë në Afganistan, e shohim se sa e tmerrshme është. Ne kërkojmë që qeveria aktuale t'i japë të gjithëve, përfshirë gratë, të drejtat e tyre legjitime. kjo qeveri nuk duhet të lejojë ISIS-in të hyjë në Afganistan.”,- u shpreh banori i Afganistanit, Abdull Baqi.
"Njerëzit janë vërtet të shqetësuar sepse talebanët kanë marrë të gjitha provincat përfshirë Panjshir, ku shpërtheu një luftë civile. Emirati duhet të punojë për të gjithë dhe t’i japë fund luftës civile. Për më tepër, Emirati Islamik i Afganistanit mbajti një numër takimesh me dyer të mbyllura në Katar dhe Pakistan. Të gjitha u zhvilluan jashtë Afganistanit. Unë besoj se ato takime duhet të mbahen në Afganistan.”,- u shpreh banori i Afganistanit, Jamshid Rabani.
Shpallja e kabinetit qeveritar nga ana e talebanëve, u shoqërua me protesta në disa qytete të Afganistanit, por që u shpërndanë shpejt nga militantët. Tre persona u qëlluan për vdekje në një protestë në Herat, ndërkohë që talebanët nuk lejuan që njerëzit të grumbulloheshin në Kabul.
GAZMEND KURTISHI
