Maqedoni

Zgjedhjet lokale, partitë zyrtarizojnë kandidatët

08.09.2021 15:29

Partitë politike dhe pjesëmarrësit e tjerë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë edhe tre ditë në dispozicion...

Partitë politike dhe pjesëmarrësit e tjerë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë edhe tre ditë në dispozicion për të përmbyllur listat e kandidatëve për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal dhe për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe këshilltarë të qytetit të Shkupit. Afati i fundit për dorëzimin e Listave në KSHZ është 11 shatori, deri në mesnatë. 
 
Në bllokun politik shqiptar, BDI në pushtet zyrtarizoi 18 kandidatët e saj për kryatar komune që do të garojnë në zgjedhjet e tetorit. Edhe Lëvizja Besa ka konfirmuar disa kandidaturat, ndër të cilat edhe kandidaturën për Tetovën, Gostivarin dhe Çairin. Aleanca për Shqiptarët, në mbledhjen e Kuvendit Qendror që po mbahet në Gostivar, po konfirmon kandidaturat për kryetarë komune, në koalicion me Alternativën. Kjo e fundit gjatë të martës zyrtarizoi kandidaturën e Arsim Idrizit për kandidat të koalicionit për Komunën e Likovës. Po të martën, Kuvendi i degës së PDSH-së në Strugë miratoi listën e kandidatëve për këshillin komunal, ndërsa bartës  listës do të jetë Jetmir Mazari.
 
Në bllokun maqedonas, Lidhja Demkratike e Pavle Trajonovit konfirmoi se në zgjedhjet lokale do të jetë në koalicion me LSDM. Partia e Zaevit pasi ka konfirmuar kandidaturat ka vazhduar me promovimin e tyre para qytetarëve. Nënkryetari i kësaj partie, Fatmir Bytyqi ka promovuar kandidatin për kryetar të Gjevgjelisë, Sashko Pockov, para qytetarëve të kësaj komune, ndërkaq nënkryetari tjetër Venko Filipçe promovoi kandidatin për kryetar të Komunës Shtip, Sashko Nikollov, për një mandat të dytë.
 
Opozita maqedonase, e kryesuar nga VMRO DPMNE ende nuk ka zyrtarizuar listën e plotë të kandidatëve për kryetar komunash. Janë publikuar emrat e rreth 30 kandidatëve për kryetar komunash dhe kandidatja për Qytetin e Shkupit. 
 
Zgjedhjet lokale, nga e marta po monitorohen nga OSBE-ODIHR-ja. Zyra e OSBE-së do t’i vëzhgojë zgjedhjet lokale me afro 300 vëzhgues. 20 prej tyre do të jenë më mision afat gjatë ndërsa 250 të tjerë do të vëzhgojnë ditën e votimit.
 
SHPËTIM NUREDINI