Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, pushim për festën vazhdon nga e enjtja

08.09.2021 17:12

Për shkak të festës, regjistruesit janë urdhëruar të mos dalin në terren këtë të mërkurë...

Për shkak të festës, regjistruesit janë urdhëruar të mos dalin në terren këtë të mërkurë, por nga ESHS thonë se një ditë nuk përbën asnjë problem pasi ka kohë edhe 20 ditë deri në fund të muajit. Sipas krerëve të ESHS-së, deri të martën janë regjistruar rreth 150 mijë qytetarë. Të dhënat në faqen zyrtare të ESHS-së tregojnë se deri më 6 shtator, janë regjistruar 136,773 persona, 41,478 ekonomi familjare dhe 59,953 banesa. Mundësinë për vetregjistrim të personave në diasporë deri në mëngjesin e 7 shtatorit e kanë shfrytëzuar  191.890 persona.
 
Blloku nacional me akuza: Regjistrimi është proces i falsifikuar
 
Por, teksa regjistruesit bënë pushim, të zëshëm ishin anëtarët e nismës “Mos e hap derën”, që u kërkuan qytetarëve të mos u tremben dënimeve e të mos regjistrohen. Ata akuzojnë për proces të falsifikuar. 
 
“Në regjistrimin e fundit që u bë në vitin 2002 rezultatet përfundimtare u publikuan pas 12 muaj pas mbajtjes së regjistrimit. Si është e mundur me numrin përafërsisht të njëjtë të banorëve rreh 1 milion e 800 mijë në RM në vitin 2002 të kenë qenë të nevojshme 12 muaj për publikimin e rezultateve ndërsa tani nevojiten vetëm 3 deri në 4 muaj.”,- tha kryetari i Unionit të Veteranëve të VMRO-së, Millan Talevski.
 
Komisioni Evropian i inkurajon të gjithë në Maqedoninë e Veriut të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe shton se regjistrimi është pjesë e procesit për inkuadrim në BE. Regjistrimi i rezidentëve dhe amvisërive do të zgjasë deri më 30 shtator, datë kjo që vlen edhe për vetëregjistrimin e diasporës. Këta të fundit mund të regjistrohen edhe nga ndonjë familjar në vend, që duhet t’u paraqesë regjistruesve të dhënat e mërgimtarëve. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI