Maqedoni

30 vjetori i pavarësisë, VMRO-DPMNE feston ndaras në Manastir

08.09.2021 17:43

As 30 vjetori i pavarësisë nuk arriti të bëjë bashkë pushtetin dhe opozitën...

As 30 vjetori i pavarësisë nuk arriti të bëjë bashkë pushtetin dhe opozitën, që edhe në këtë ditë, që duhej të ishte ditë unifikimi, zgjodhën të festonin ndaras.
 
Teksa partitë në pushtet zhvilluan manifestimet e parapara në protokollin qeveritar të festës, VMRO-DPMNE përzgjodhi të nderonte veçmas me kurora lulesh ata që kontribuuan për këtë ditë dhe mblodhi në një tribunë në Manastir, ministrin e  parë në Qeverinë e pas pavarësisë, kreun e  parë të Manastirit etj. Në një urim për qytetarët, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, e cilësoi  ditën e pavarësisë, si  kurorë e luftës për shtet të pavarur dhe sovran.
 
“Pikërisht 8 Shtatori i vitit 1991, në referendum, populli në Maqedoni e realizoi atë ëndërr dhe filloi vetë ta ndërtojë të ardhmen e tij dhe të ardhmen e atdheut të vet, si vend i barabartë me të gjithë të tjerët në Europë dhe botë. Rruga ishte e rëndë dhe me shumë sprova. Ideja për një Maqedoni prosperuese asnjëherë nuk do të ndalet, veçanërisht tani, në kohën e fundosjes ekonomike, politikave të pushtetit dhe mohimeve nga jashtë. Kjo ide jeton te maqedonasit, por edhe te shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllehët dhe te të gjithë të tjetër që e duan Maqedoninë si shtëpi të veten, të cilën e kanë trashëguar nga pasardhësit e tyre, por që ua kanë borxh brezave të ardhshëm”, thekson Mickoski në urim.