Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2021, ASh-AAA zyrtarizon kandidatët për kryetarë

08.09.2021 18:36

Partitë politike vazhduan aktivitetin parazgjedhor për zgjedhjet lokale të 17 tetorit...

Partitë politike vazhduan aktivitetin parazgjedhor për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Aleanca për Shqiptarët zyrtarizoi kandidatët për kryetarë komune, në koalicion me Alternativën. 
 
“Debati ka qenë konstruktiv dhe ne vendosëm sot për listën e kandidatëve për kryetar komune me të cilët do të garojmë në zgjedhjet e 17 tetorit. Natyrisht, jo vetëm do të garojmë por ne edhe do të fitojmë këto zgjedhje.”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
LSDM promovoi koalicionin me 20 parti
 
Ndërkaq, LSDM promovoi koalicionin parazgjedhor me 20 parti të tjera “Më të mirën për komunën time” dhe bashkëpunimin me tre partitë shqiptare në pushtet, BDI, BESA dhe PDSh.  
 
“Së bashku qëndrojmë rreth listave të përbashkëta për këshilltarë por edhe pas 69 kryetarë komunash. Koncepti qytetar i vlerave për një shoqëri për të gjithë, d.m.th. vazhdim të bashkëpunimit të suksesshëm me partnerët BDI, BESA dhe PDSH edhe në zgjedhjet lokale gjithsesi përmes kritereve të ndërtuara për përkrahje të ndërsjellë të kandidatëve me program më të mirë dhe besim më të madh te qytetarët.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në bllokun politik shqiptar, BDI në pushtet ka zyrtarizuar 18 kandidatët e saj për kryetar komune që do të garojnë në zgjedhjet e tetorit. Edhe Lëvizja Besa ka konfirmuar disa kandidatura, ndër të cilat edhe kandidaturën për Tetovën, Gostivarin dhe Çairin.
 
Nga partitë shqiptare në pushtet, edhe PDSh ka publikuar disa kandidatë për kryetarë komune dhe bartësit e listave për këshilltarë. 
 
Opozita maqedonase, e kryesuar nga VMRO-DPMNE, ende nuk ka zyrtarizuar listën e plotë të kandidatëve për kryetar komunash. Janë publikuar emrat e rreth 30 kandidatëve për kryetar komune dhe kandidatja për Qytetin e Shkupit. 
 
SHPËTIM NUREDINI