Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë: Spitali modular u ndërtua sipas standardeve
09.09.2021 12:28
Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron informacionet se ka mangësi dhe lëshime gjatë ndërtimit të qendrës Covid në Tetovë ose kudo në vend....

Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron informacionet se ka mangësi dhe lëshime gjatë ndërtimit të qendrës Covid në Tetovë ose kudo në vend. Nga kjo ministri thonë se spitali modular në Tetovë ishte ndërtuar sipas të gjitha standardeve dhe procedurave të larta mjekësore dhe të sigurisë dhe se nuk është lënë asnjë gjë në rastësi. Për këtë arsye MSh kërkon që të mos spekulohet me informacione të tilla.
“Qendrat modulare të COVID-it, përfshirë spitalin në Tetovë, janë të hapura pas kontrolleve teknike. Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e përdorura janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra Covid në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në objekt nuk është përdorur dru dhe të gjithë elementet e tjera të nevojshme për mbrojtje u respektuan.”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përveç kësaj, Ministria e Shëndetësisë rikujton se të gjitha spitalet modulare posedojnë certifikatë për mbrojtje nga fatkeqësitë, se materialet e përdorura për ndërtimin e tyre janë të certifikuara dhe se kanë kaluar të gjitha fazat e kontrollit të tyre të brendshëm.
“Gjatë lëshimit në përdorim, u bë një pranim i rregullt teknik. Gjatë ndërtimit ka procesverbale të rregullta të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme, silikonim i llajsnave në dysheme, nivelizim i sifonit në tualet, vazhdim i ulluqeve etj. Për këto kërkesa është vepruar dhe janë sanuar para lëshimit në përdorim dhe hospitalizimit të pacientëve.”,- thuhet në njoftim.
Se cili është shkaku i shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë, nëse të njëjtat janë të ndërtuara me standarde të larta mjekësore, këtë përgjigje autoritetet shëndetësore do ta presin nga hetimet e plota të organeve kompetentë dhe nëse eventualisht vërtetohen lëshime, premtojnë se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë ngjarje tragjike. Për shkak të numrit të madh të të infektuarve u ndërtuan 19 spitale modulare në vend.
REXHEP QAMILI
