Maqedoni
Shqipëria shpreh ngushëllime për tragjedinë në Tetovë
09.09.2021 13:15
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura nga zjarri në Spitalin Modul të Tetovës....

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura nga zjarri në Spitalin Modul të Tetovës.
“Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës. Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre! Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve!”, tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ngushellime edhe nga kryeministri Edi Rama edhe lideret e partive politike në Shqipëri.
“Duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja.”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Ngushëllimet më të ndjera nga Tirana qytetarëve të Tetovës për jetët e prekura nga shpërthimi i zjarrit në spitalin modular. Shërim të shpejtë të plagosurve, kurajë ekipeve të emergjencave dhe kolegëve tanë Teuta Arifi, Artan Grubi, Ali Ahmeti dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Është shumë i dhimbshëm lajmi nga Tetova. Në këtë ditë tragjike bashkë ndjej me dhimbjen e familjeve dhe të afërmve të viktimave dhe shpreh ngushëllime të sinqertë dhe të thellë. Zoti ju dhëntë forcën që të përballeni me këtë tragjedi. Shërim të shpejtë të lënduarve”, tha lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
