Maqedoni

Tragjedia në Tetovë, shumë vende i ofrojnë ndihmë RMV-së

09.09.2021 15:00

Shumë vende u solidarizuan dhe shprehën mesazhe ngushëlluese me tragjedinë e ndodhur në Tetovë....

Shumë vende u solidarizuan dhe shprehën mesazhe ngushëlluese me tragjedinë e ndodhur në Tetovë. Me qytetarët e Maqedonisë së Veriut u sensibilizua BE, me shpresë që populli i Maqedonisë së Veriut të marrë veten sa më shpejt pas kësaj tragjedie. 
 
“BE shpreh ngushëllimet më të thella deri tek familjet dhe miqtë e viktimave të këtij zjarri tragjik në spitalin modular në Tetovë, ku trajtoheshin personat e prekur nga Kovid-19. Të lënduarve iu dëshirojmë shërim të shpejt.”,- thuhet në njoftimin e zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Ana Pisonero.
 
Ngushëllime për të pësuarit në zjarrin e mbrëmshëm në spitalin modular të Tetovës shprehu edhe ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Meri Bërnz.
 
“Jemi të pikëlluar për shkak të ngjarjeve të tmerrshme të mbrëmshme në spitalin e Kovidit në Tetovë. Ngushëllimet e mia për familjet e atyre të cilët e humbën jetën, si dhe për të lënduarit. Mendimet e mia janë me ju dhe me të gjithë në Tetovë të prekur nga kjo tragjedi”,- shkroi ambasadorja Bërnz në Tuiter.
 
Kryeministri shqiptar Edi Rama ngushëlloi qytetarët e Tetovës, duke thënë se do të jetë pranë vëllezërve të tij në Maqedoni të Veriut në këto momente të vështira. 
 
“Duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja.”,- shkroi Rama.
 
Për të ngushëlluar qytetarët e Tetovës, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e komunës së Tetovës, ku ka ofruar ndihmën e tij,  njoftojnë nga qeveria e Kosovës. 
 
“Eksplodimi i fuqishëm duket që ka marrë shumë jetë njerëzish, kryesisht pacientë. Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin.”,- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
 
Gatishmëri për të ndihmuar ka shprehur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. 
 
“Jam jashtëzakonisht i prekur nga lajmi i zjarrit në spitalin në Tetovë. Ne ndajmë dhimbjen e madhe të njerëzve të Maqedonisë së Veriut, të gatshëm për të ofruar çdo ndihmë vëllazërore. Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Serbisë, unë shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke iu uruar shërim të shpejtë të plagosurve.”,- tha Vuçiq.
 
Ndihmën e tij e ka vënë në dispozicion edhe presidenti I Sllovenisë Borut Pahor. Ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritet me popullin dhe qeverinë shprehën përmes Twitter edhe nga Ministria e Jashtme e Greqi. 
 
ERSAN PAJAZITI