Maqedoni
Besimi: Çështja t’i lihet Prokurorisë
09.09.2021 14:32
Qeveria ka kërkuar nga Prokuroria që të përmbyll sa më shpejtë hetimin në lidhje me zjarrin që kaploi Kovid-Qendrën në Tetovë...

Qeveria ka kërkuar nga Prokuroria që të përmbyll sa më shpejtë hetimin në lidhje me zjarrin që kaploi Kovid-Qendrën në Tetovë, deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi, pas mbledhjes në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë. Sa u përket vërejtjeve për parregullsi në ndërtimin e spitalit modular, që i kishte drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, drejtori mjekësor, Florin Besimi, thotë se çështja duhet t’i lihet hetuesisë.
“Do të ua lëmë organeve të hetuesisë ta shohin gjendjen.”,- tha drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi.
Besimi përgënjeshtron edhe zërat se spitali modular nuk ka pasur sistem për fikjen e zjarrit.
“Ka pasur, janë organet kompetente, kemi përgjegjës që është për organizimin e mbrojtjes ndaj zjarreve, ashtu që do të dalin organet e hetuesisë për të treguar më detalisht.”,- theksoi drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi.
Grubi: Spitali modular u ndërtua sipas standardeve
Qendra modulare ka qenë e ndërtuar me të gjitha standardet, thotë zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
“Kjo çështje u diskutua sot në mbledhjen e qeverisë dhe vet drejtori ka dhënë sqarimet e duhura rreth vërejtjeve të tij për qendrën modulare të spitalit të Tetovës dhe bëhet fjalë për çështje teknike siç e tha drejtori dhe e konfirmoi ministri i shëndetësisë për vërejtjet në muajin prill dhe Ministria e Shëndetësisë ka dalë me komunikatë zyrtare e me qëndrim, bashkë edhe me qeverinë se qendra modulare ka qenë e ndërtuar me të gjitha standardet e nevojshme.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Grubi dhe Hasani: Nuk është koha për dorëheqje
Të pyetur rreth përgjegjësisë dhe mundësive për dorëheqje, zëvendësministri Grubi dhe zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani, thonë se tani nuk është koha për dorëheqje, por për përballje me sfidat. Grubi përgënjeshtroi edhe zërat për dorëheqjen e drejtorit ekonomik të spitalit të Tetovës, Artan Etemi.
“Jo më rezulton se nuk është lajmi i saktë dorëheqja e drejtorit ekonomik dhe unë vlerësoj se tash është koha të mbajmë përgjegjësinë mbi supe dhe ta menaxhojmë situatën.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
“Nuk është koha e dorëheqjeve, është koha kur ne duhet të ballafaqohemi me sfida. Organet e hetuesisë dhe prokurorisë janë të gjitha të aktivizuara dhe po presim raportet e komisioneve.”,- theksoi zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani.
Grubi njëherit njoftoi se vendi ka dërguar kërkesë dhe janë vendosur kontakte me ambasadorët e vendeve, në veçanti me ambasadoren e Gjermanisë, por edhe me autoritetet e NATO-s dhe të ShBA-së dhe siç tha ai është çështje dy-tre ditëshe, ku ekspertë të tyre mund të vijnë dhe të shqyrtojnë provat të cilat i ka edhe Policia edhe Prokuroria edhe Forenzika nga vendi i ngjarjes.
GAZMEND KURTISHI
