Maqedoni

PTHP: Për disa viktima nevojitet ADN-ja për identifikim

09.09.2021 15:25

Vazhdon hetimi i pesë prokurorëve për zbardhjen e shkaqeve për ngjarjen tragjike në spitalin modular në Tetovë...

Vazhdon hetimi i pesë prokurorëve për zbardhjen e shkaqeve për ngjarjen tragjike në spitalin modular në Tetovë ku u regjistruan 14 viktima. Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Shkup, për disa nga viktimat do të jetë e nevojshme të bëhet analiza e AND-së për identifikim.
 
"Në orët e hershme të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje të punësuarit në spitalin modular në Tetovë me qëllim të vërtetohen shkaqet për shpërthimin e zjarrit. Në të njëjtën kohë është dhënë urdhër për sigurimin e video-incizimeve prej dhe rreth objektit. Hetimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa prokurorët publikë së bashku me ekspertët e MPB-së do t’i sigurojnë dëshmitë për zbardhjen e tërësishme të rastit tragjik.",- thuhet në Kumtesën e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.
 
Mjekësia ligjore: Autopsia pritet të mbarojë gjatë ditës
 
Ndërkohë, nga mjekësia ligjore informojnë se autopsia duhet të përfundojë brenda ditës. Nga mjekësia ligjore njoftojnë se në bazë të nevojës do të zgjidhet metoda për identifikim të trupave.
 
“Mbrëmë janë sjellë 14 trupa, që kanë pësuar në Kovid Qendrën në Tetovë. Mbrëmë vonë ka filluar autopsia, janë formuar ekipe dhe sot pritet të mbarojë autopsia në varshmëri prej asaj se në çfarë gjendje do të jenë trupat dhe çfarë metoda të identifikimit do të përdorim. Presim identifikimi të jetë i shpejtë dhe të mund sa më parë tua dorëzojmë trupat familjarëve. Deri më tani janë përfunduar 4 autopsi. Autopsia vazhdon dhe nuk mund të ju them asgjë për shkaqet e vdekjes.”,- u shpreh Aleksandar Stankov nga mjekësia ligjore.
 
Siç njoftojnë nga Qeveria, në hetim do të përfshihen edhe ekspertë të huaj nga NATO. Bëhet fjalë për profesionistë dhe ekspertë të nivelit të lartë për hetime të zjarreve. Edhe ekipe të MPB-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë do të vihen në dispozicion maksimal të prokurorisë për kryerjen e hetimit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI