Maqedoni
Pendarovski në Tetovë, shkaqet do të merren vesh brenda javës
09.09.2021 15:40
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka vizituar vendin e tragjedisë së mbrëmshme në Tetovë...

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka vizituar vendin e tragjedisë së mbrëmshme në Tetovë, spitalin e djegur modular, me ç’rast ka apeluar që në këto momente të gjithë të jemi bashkë rreth kësaj tragjedie. Sipas tij, arsyet e zjarrit do të merren vesh për më pak se një javë nëse fatkeqësia ka qenë si pasojë e problemit teknik apo nëse është bërë qëllimisht nga dora e njeriut. Ky rast duhet zbardhur shpejt, me përgjegjësi dhe profesionalizëm për të mos e lënë opinion publik në ankth, thotë Pendarovski.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë indikator se kjo është bërë me qëllim që të arrihet ndonjë qëllim tjetër politik. Këtë do t’ua tregoj ditëve në vijim prokurori publik kompetent. Prokuroria Publike kompetente që e heton rastin nga të gjitha organet tjera kompetente ka kërkuar raport dhe ju ka dhënë afat 5 ditë për t’i dërguar raportet. Unë apeloj në pjesën për përgjegjësi. Por, për përgjegjësi të lëmë pak kohë pak ditë, t’u shohim hetimet e para dhe kuptohet çdolloj përgjegjësie do të kërkohet, morale politike, objektive, subjektive. Bëhet fjalë për tragjedi që nuk mbahet mend me dekada.”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Rastin e djegies së spitalit modular do ta ndjekin edhe ekspertë të huaj për të hetuar arsyet që ishin shkak i tragjedisë ku humbën jetën.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
