Maqedoni
Tragjedia në Tetovë, ASh: S’është natyrore, të ndëshkohen përgjegjësit
09.09.2021 17:24
Opozita shqiptare dhe maqedonase kërkojnë përgjegjësi dhe hetim objektiv të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin modular në Tetovë....

Opozita shqiptare dhe maqedonase kërkojnë përgjegjësi dhe hetim objektiv të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin modular në Tetovë. Kryetari i ASh-së, Zijadin Sela, tha se tani është moment i reflektimit të qeverisë në zbardhjen e tërësishme të rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
“Kjo e mbrëmshmja nuk është fatkeqësi natyrore, janë ditë zie të respektojmë viktimat dhe te mendojmë mirë. Atë që duhet të bëjë çdo qeveri në këndvështrimin tonë është që mos të lejë pa ndëshkuar edhe në momentin më të vogël dhe gabimin më të vogël ndaj çdo zyrtari i cili mban një përgjegjësi të caktuar. Aleanca për Shqiptarët do të reagojë nëpërmjet parlamentit që hetimi të shkoj deri në fund.”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Alternativa: Kërkojmë përgjegjësi nga autoritetet
Nga Alternativa ndajnë dhimbjen dhe kërkojnë përgjegjësi penale.
“Duke e pasur parasysh se ky zjarr i fuqishëm nuk ka ndodhur nga aksidenca, por nga neglizhenca e atyre që e kanë ndërtuar atë spital, nga ata që e kanë pranuar dhe lëshuar në përdorim atë, kërkojmë që sot dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani, si dhe nga drejtorët e spitalit të Tetovës. Kërkojmë hetim të pavarur ndërkombëtar për ta adresuar përgjegjësinë penale.”,- thonë nga Alternativa.
VMRO–DPMNE: Filipçe dhe Zaev të dorëhiqen
Përgjegjësi dhe hetim të plotë kërkuan edhe nga VMRO – DPMNE, pasi sipas tyre për jetët e pacientëve përgjegjëse është shteti.
“Nuk duam të fusim politikë në momentin më tragjik për shumë njerëz nga Tetova. Por si për fillim duhet të ketë përgjegjësi funksionale dhe morale, populli pret dorëhqeje të parevokueshme të Venko Fillipçes dhe Zoran Zaevit. Dorëheqje pasi që populli nuk beson në institucionet e drejtuara nga pushteti, që të dy do të jenë pengesë objektive për hetim transparent dhe neutral, e cila duhet të ndodh.”,- theksoi Vllado Misajllovski nga VMRO–DPMNE.
BDI: Institucionet të hetojnë e të zbardhin rastin
Partitë në pushtet BDI dhe LSDM shprehen për zbardhje të plotë të rastit.
“Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga të gjitha institucionet kompetente të realizojnë hetim të plotë dhe të zbardhin rastin në tërësi, me ç‘rast të zbulohen arsyet e shkaktimit të zjarrit në Qendrën Kovid në Tetovë. Njëkohësisht, BDI apelon deri tek të gjithë që të japin kontribut në zbardhjen e plotë të rastit nga ana e institucioneve përkatëse.”, thuhet në kumtesën e integristëve.
LSDM: Hetimi do t’i japë të gjitha përgjigjet
“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave nga zjarri tragjik i mbrëmshëm në spitalin modular në Tetovë. Të lënduarve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë. Hetimi që po vazhdon nga mbrëmë do t’i jep përgjigjet për të gjitha çështjet. Mendimet tona janë me tetovarët, jemi bashkë në këtë pikëllim kolektiv.”,- shkruan në komunikatën për media të LSDM-së.
Nga BDI thonë se kanë anuluar të gjitha aktivitet për hir të 14 viktimave në Tetovë.
MERAL ISMAILI
