Maqedoni

Filipçe: Në Tetovë humbën jetën 14 persona

09.09.2021 18:24

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, konfirmoi se në zjarrin që kaploi Kovid qendrën në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona....

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, konfirmoi se në zjarrin që kaploi Kovid qendrën në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona. Megjithatë, sipas tij, spitalet modulare në të gjitha qytetet janë të sigurta dhe se të gjitha materialet që janë instaluar në këto spitale janë të certifikuara dhe të testuara. Sipas ministrit, janë kryer të gjitha kontrollet e duhura para lëshimit në funksion edhe të spitalit modular të Tetovës.
 
“Në kovid qendrën në Tetovë në momentin e tragjedisë ishin të hospitalizuar 26 pacientë, personeli mjekësor përbëhej prej dy mjekëve dhe katër infermierëve, 12 pacientë janë evakuuar të sigurt nga Kovid qendra, për momentin janë hospitalizuar në spitalin e Tetovës dhe janë në gjendje stabile, nuk kanë pasoja nga zjarri. Nuk ka të lënduar dhe të vdekur nga personeli mjekësor. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë dërguar trupat e 14 pacientëve. Për një pjesë të tyre është kryer obduksioni, për një pjesë vazhdon. Të vdekurit janë nga mosha 29 deri në 79 vjeç.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Po ashtu ministri sqaroi se do të bëhet edhe ADN-ja e tyre për çka janë njoftuar edhe familjarët. Ministri nuk foli për shkaqet e shpërthimit të zjarrit pasi vlerësoi se kjo mund të bëhet pasi të jenë kryer hetimet. 
 
“Ka më shumë spekulime, por lejoni t’i presim gjetjet e hetimeve pasi është shumë me rëndësi atë që e themi në opinion të jetë me të vërtetë e saktë, e kjo është e mundur vetëm pas hetimeve.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ministri njëherit mohoi se familjarët kanë qëndruar në spitalin modular për t’i ndihmuar pacientët, ai tha se ata kanë qenë për vizitë, edhe pse ajo nuk është e lejuar. 
 
“Vizitat e pacientëve me kovid në repartet kovid janë të ndaluara gjithkund. Me vaksinimin mjekët në Tetovë i kanë lejuar t’i vizitojnë e jo të kujdesen për ta. Atë e ka menaxhuar personeli mjekësor në tërë territorin e vendit.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Sa u përket zërave për dorëheqjen e tij ai tha se nuk do të japë dorëheqje deri sa të mbarojë hetimi, që është në rrjedhë e sipër, ndërsa varësisht nga hetimet përgjegjësi do të duhet të mbajë secili, tha ministri. 
 
REJHAN BUSHI METAJ