Maqedoni

Zjarri në spitalin modular, varrosen sot viktimat e identifikuara

10.09.2021 11:27

Maqedonia e Veriut është sot në ditën e dytë të zisë kombëtare, të shpallur pas tragjedisë së rëndë në Tetovë ku të mërkurën u dogj spitali modular.

Maqedonia e Veriut është sot në ditën e dytë të zisë kombëtare, të shpallur pas tragjedisë së rëndë në Tetovë ku të mërkurën u dogj spitali modular. 
 
Zjarri mori jetën e 14 personave, 12 pacientë dhe 2 shoqërues të tyre, 12 persona arritën të shpëtohen, 9 prej tyre janë në gjendje stabile dhe vazhdojnë të trajohen në spitalin e Tetovës. 3 pacientë me më pak lëndime janë lëshuar për trajtim shtëpiak. Sot në Tetovë bëhet varrimi i disa prej viktimave të identifikuara. Për të tjerët, nevoitet identifikim i kufomave nga ana e mjeksisë ligjore. 
 
Hetimet për tragjedinë, PNKOK kërkon dokumentacionin e 18 spitaleve
 
Prokurorja për ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Vilma Ruskovska, ka urdhëruar  Zyrën e  Prokurimit Publik , të marrë dokumentacionin e plotë për 19 spitalet modulare të ndërtuara në vend.  Ky është një hetim krejtësisht i veçantë nga ai që po kryhet  nga pesë prokurorët publikë, të cilët hetojnë shkaqet e katastrofës. Spitali i Tetovës u dogj në pak minuta por edhe 18 spitalet etjera modulare janë bërë nga i njëjti material, prandaj po hetohet dokumentacioni i të gjithave për të sqaruar një nga pistat  e hetimit, atë të favorizimit të flakëve nga materiali. 
 
Ndërkohë askush nuk e ka marrë veten nga ajo që ndodhi. Një nga dëshmitaret okulare rrëfen për TVM 2 se në moment e shpërthimit ishte brenda spitalit duke u kujdesur për  babanë e saj të sëmurë. Sipas saj, gjithcka ndodhi brenda 2 minutave. Edhe banorët e tjerë të Tetovës janë të tronditur thellësisht.