Botë

Mblidhet kuvendi i ri në Shqipëri, Basha përjashton Berishën nga PD

10.09.2021 11:38

Një vendim surprizë, e paprecedent në historinë 30-vjeçare të pluralizmit shqiptar....

Një vendim surprizë, e  paprecedent në historinë 30-vjeçare të pluralizmit shqiptar, është marrë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili përjashtoi nga partia liderin historik Sali Berisha. Basha iu dorëzua ultimatumit të pak javëve më parë të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila pas shpalljes “Non grata”, i kërkoi Bashës që Berisha të mos ishte në parlament në shtator.
 
Sali Berisha nuk mungoi në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të kuvendit. Pasi akuzoi Lulzim Bashën për pazare të turpshme me Ramën, ai tha se ndihet më i motivuar se kurrë.
 
“Do marrë çdo nisëm brenda PD-së për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Si të shihni, unë jam anëtar i grupit parlamentar i PD-së. Vendimi, kompromisi Rama-Basha është nul, s’ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale në pazaret mbrapa shpine ndaj një force politike. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD dhe të jeni të sigurtë që do jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, të gjithë vendosmërinë, legjitimitetin, për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës dhe pazareve të fëlliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë opozitë.”,- deklaroi deputeti i PD-SË, Sali Berisha.
 
Kryeministri, Edi Rama, në një komunikim për mediat u shpreh se  dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit. I pyetur nëse ka pazare mes tij dhe Bashës, ai ka preferuar të mos përgjigjet.
 
“Ne vijmë në këtë kuvend për mandatin e 3 me dorën e shtrirë e kam thënë unë këtë, pa e ditur si do shkonin gjërat në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit, të borxheve që i kemi njerëzve E kuptoni sa e madhe është sfida jonë, hallet e njerëzve, PD e ka të pamundur të shohë nga lart poshtë se ndryshe humb horizontin dhe perspektivën, në do shohim para kush të dojë le të vijë. Trishtime dhe gëzimet janë evenimente të rëndësishme për njeriun që t’i shpërdorojë për politike.”,- theksoi kryetari i PS-së, Edi Rama.
 
Përjashtimin e Sali Berishës, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, nëpërmjet një reagimi në Twiter, e cilësoi vendim të vështirë e që meriton respekt. Pak kohë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi shpalljen “Non grata” të Sali Berishës dhe familjarëve të tij, duke deklaruar se ka prova të forta për korrupsion. Me gjithë zhvillimet në PD, legjislatura e dhjetë  e Kuvendit të Shqipërisë nisi me opozitën të rikthyer në karriget e Kuvendit. Seanca u drejtua nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit, e cila bëri thirrje për bashkëpunim mes partive në vend.
 
LULJETA NDOKA