Maqedoni
Nuredini: Ka pasur familjarë brenda, po hetojmë si kanë hyrë
10.09.2021 15:18
Prokuroria tashmë ka konfirmuar se dy nga viktimat nga tragjedia e shpërthimit në Tetovë....

Prokuroria tashmë ka konfirmuar se dy nga viktimat nga tragjedia e shpërthimit në Tetovë kanë qenë familjarë të pacientëve që kanë qenë duke shoqëruar të afërmit e tyre të sëmurë në qendrën modulare në Tetovë. Pyetja që ende pret përgjigje është se kush i ka lejuar të afërmit e pacientëve të qëndrojnë brenda qendrës Covid, ku vizitat janë rreptësisht të ndaluara. Koordinatori i qendrës Covid në Tetovë, Gëzim Nuredini, pranon se vizita ka pasur, por hetimet do të tregojnë se kush mban përgjegjësi në këtë lëshim.
“Ne kur kemi dëgjuar se bëhet fjalë për civilë, kemi kërkuar deklaratë nga përgjegjësit e reparteve të dimë se cilët civilë janë futur brenda. Ajo rreptësisht është e ndaluar. Edhe nëse hyn dikush duhet patjetër të respektohen të gjitha protokollet, ajo vlen si për të punësuarit edhe për ata të punësuar që janë jashtë orarit të punës dhe dëshirojnë të vizitojnë dikë. Kemi kërkuar raport kush ka hyrë me emër dhe mbiemër ose kush e ka mundësuar këtë.”,- deklaroi koordinatori i Qendrës Covid-Tetovë, Gëzim Nuredini.
Nuredini: Gjithçka ndodhi në pak minuta, po hetohet shkaku
Nuredini sqaron se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një periudhë shumë të shkurtër kohore e kjo ka pamundësuar evakuimin e të gjithëve. Prokuroria ka marrë në pyetje të gjithë stafin mjekësor që ka qenë atë ditë në ndërrim. Pret që hetimi të tregojë përse spitali u dogj aq shpejt.
“Në orën 9 diku mjeku kujdestar ka filluar të vërejte njëfarë lloj tymi dhe menjëherë ka lajmëruar shërbimin teknik, më pas më informuan edhe mua. Ne mbërritëm për 5-6 minuta, por kur mbërritëm ne, ajo e gjitha kishte mbaruar. D.m.th. krejt rasti ka ndodhur, flas sa i përket shpëtimit të pacientëve që kanë shpëtuar dhe kanë ndërruar jetë, ajo ka qenë diku tre minuta. Mandej kanë ardhur zjarrfikësit në kohë, ato kanë ardhur pas pesë minutave, mund të paramendoni se çfarë ka ndodhur, për një kohë të shkurt zjarri ka kapluar gjithë objektin… Menjëherë e thirrëm Prokurorin Publik, kamerat i ka në dispozicion, ai ka thirr edhe këto mjekët kujdestar dhe motrat që ishin në atë mbrëmje, kanë marrë intervistë… Në atë hapësirë ka me të vërtetë sasi të madhe të oksigjenit, për arsye se nuk janë hermetikisht të mbyllur pjesët e sistemit respirator të pacientëve, por nuk është ajo gaz i cili mund ta bëjë këtë zjarr.”,- u shpreh koordinatori i Qendrës Covid-Tetovë, Gëzim Nuredini.
Nuredini njofton ndërkohë se gjendja shëndetësore e pacientëve të lënduar, është stabile.
ZEKIRJA MEXHITI
