Maqedoni
Hetimi për shpërthimin në spitalin modular, PTHP mbledh filmimet dhe dokumentacionin
10.09.2021 15:38
Vazhdon hetimi i 5 prokurorëve për gjetjen e shkakut për zjarrin në spitalin modular në Tetovë....

Vazhdon hetimi i 5 prokurorëve për gjetjen e shkakut për zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Tashmë është vërtetuar se tetë prej viktimave janë gra, kurse gjashtë meshkuj, në moshë prej 29 deri 78 vjeç. PP informon se nga numri i përgjithshëm, përkatësisht prej 14 trupave, 12 kanë qenë pacientë të hospitalizuar, kurse dy kanë qenë familjarë të të hospitalizuarve. Hetohet se për sa kohë ata kanë qenë në spital apo kanë ardhur pas shpërthimit të zjarrit që t’i shpëtojnë familjarët.
Ndërkohë që autopsia për vajzën, për shpëtimin e jetës së të cilës ekipi mjekësor po bënte përpjekjet maksimale pak para shpërthimit të zjarri, tregoi se ajo nuk ka vdekur si pasojë e zjarrit. Nga spitali i Tetovës dhe objektet përreth janë siguruar video-incizime dhe janë angazhuar ekspertë në fushën e elektroteknikës, MPB-së, përfaqësues të EVN-së me qëllim vërtetimin e shkaqeve për ngjarjen tragjike. Është urdhëruar që të konfiskohen e gjithë dokumentacioni në lidhje me ndërtimin e spitalit modular.
“Prokuroria Themelore e Tetovës, si ekip i përbërë nga 5 prokurorë, kemi ndërmarrë të gjitha masat dhe kemi dhënë urdhër policisë së Tetovës që të ndërmarrë dokumentacionin bazë të spitalit modular të Tetovës. Gjithashtu dhe nga Komuna e Tetovës do të kërkohet dokumentacion për lejen e ndërtimit të këtij spitali modular në Qendrën Klinike të Tetovës dhe njëkohësisht do të jepet edhe urdhri për marrjen e dokumentacione të firmës, subjektit juridik, i cili e ndërtoi këtë spital modular. Kemi dhënë urdhra të tjera institucioneve shtetërore për ekspertiza të ndryshme dhe presim në afat sa më të shpejtë të mundshëm që këta ekspertiza të arrijnë në Prokurorinë e Tetovës për vendimmarrje të mëtutjeshme.”,- u shpreh prokurori, Besir Aliu.
PNKOK u bashkëngjitet hetimeve, mbledh dokumentet për të gjitha spitalet Covid
Në pjesën e hetimit penal do të përfshihet edhe Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që do të hetojnë furnizimet publike.
“Konkretisht specifikimin teknik, sepse ekzistojnë standarde europiane që kanë të bëjnë me spitalet në pjesën e instalimit elektrik dhe mbrojtjes kundër zjarreve. Sepse ajo është një furnizim publik për të gjitha spitalet modulare, nëse furnizimi publik është në rregull, ne nuk kemi kompetenca të hetojnë diçka tjetër. Jam e sigurt se kolegët nga Prokuroria Themelore do ta hetojnë këtë pjesë.”,- tha prokurorja e Prokurorisë për Krim të Organizuar, Villma Ruskoska.
Prokurorja, Villma Ruskoska, e sheh si pozitive vendimin e Qeverisë që hetimin ta përforcojë edhe me ekspertë të huaj.
FLORIJE BELULI KAMBERI
