Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë: Të gjitha dokumentet gati për ekspertizë

10.09.2021 15:56

Ministria e Shëndetësisë, përshëndet procedurën e Prokurorisë Themelore Publike....

Ministria e Shëndetësisë, përshëndet procedurën e Prokurorisë Themelore Publike e cila e udhëheq hetimin për shpërthimin e zjarrit në qendrën Covid në Tetovë. Nga kjo ministri thonë se janë në  dispozicion të të gjitha institucioneve dhe ofrojnë dokumentacionin e plotë, për vendosjen e të gjitha  qendrave Covid në shtet. 
 
“Ministria e Shëndetësisë, duke mos dashur që të përzihet në vendimet e Prokurorisë Publike dhe për të mos dëmtuar hetimin e Prokurorisë Publike dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit, me lejen e tyre, dokumentacionin me të cilin disponojmë jemi të gatshëm ta vëmë në shqyrtim.”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
 
Hetimet e Prokurorisë, Arifi: Komuna nuk jep leje për spitalet modulare
 
Edhe komuna e Tetovës ka dorëzuar tek  institucionet përkatëse të gjithë dokumentacionin. Sa i takon ndërtimit të Qendrës Kovid në Tetovë, kryetarja e komunës Teuta Arifi ka deklaruar se qendrat modulare nuk kanë pasur nevojë të kenë leje nga komunat ku janë ndërtuar.
 
“Ne i kemi dorëzuar të gjitha dokumentet, të gjitha që janë kërkuar nga ne,por dëshiroj t’ju informoj se të gjitha qendrat modulare që janë ndërtuar në nivel vendi, janë ndërtuar me ligj special. Dhe në bazë të këtij ligji special asnjëra prej tyre nuk ka pasur nevojë që të ketë leje nga komunat përkatëse. Çdo pyetje tjetër që ka pasur është dhënë,dhe sa i përket lejeve ka pasur ligj special për këto objekte dhe nuk është kërkuar leje nga Qeverisja lokale. Sipas asaj,  ne nuk kemi pasur leje që të bëjmë pranim dorëzim, por ato janë objekte për të cilat kompetencat e ndërtimit dhe lejet kanë shkuar direkt nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria.”,- theksoi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Kërkimi i përgjegjësisë, Arifi: Presim përfundimin e hetimeve
 
E pyetur nëse do të kërkonte përgjegjësi morale nga drejtuesit e spitalit, Teuta Arifi tha se donte të merrte fillimisht përgjigje për disa pyetje. Le të përfundojë procesi i hetimit  e pasi të marrim përgjigjet e caktuara do të kërkojmë përgjegjësi, e përgjegjësia nuk është vetëm morale tha Arifi. Ajo ka vizituar njësitin zjarrfikës në Tetovë për t’i falënderuar për punën e pakursyer gjatë tragjedisë. Me vendim të Këshillit, Komuna e Tetovës do të mbulojë shpenzimet e shërbimeve post-mortore për viktimat dhe do të miratojë ndihmë financiare në vlerë prej 1000 euro në kundërvlerë me denarë për të gjitha familjet e viktimave, si dhe për të mbijetuarit të kësaj tragjedie.

GYLENE SINANI