Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, VMRO-DPMNE publikoi edhe 8 kandidatë
10.09.2021 16:50
VMRO-DPMNE publikoi edhe emrat e tetë kandidatëve të tjerë për kryetar komune....

VMRO-DPMNE publikoi edhe emrat e tetë kandidatëve të tjerë për kryetar komune. Në seancën e Komitetit Ekzekutiv dhe të atij Qendror është vendosur që deputeti aktual, Timço Mucunski, të jetë kandidat për kryetar i Komunës Aerodrom; Oliver Zafirovski, është kandidat për Karposhin; në Manastir, VMRO do të garojë me Toni Konjanovskin; në Strumicë do t’i kundërvihet kandidatit të Zaevit me Zhan Dërvoshanov; kandidat për Kërçovën është Aleksandar Jovanovski; për Kriva Pallankën, Aleksandar Rangellov; Velibor Denkovski, për Komunën Staro Nagoriçan dhe Llado Gligoroski për Dollnenin.
“Gjatë përzgjedhjes së kandidatëve partia bazohej në parimet për ndershmëri, transparencë angazhim dhe pajtueshmëri me anëtarësinë dhe qytetarët.”- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. Anketat partiake kanë rezultuar se shumica e qytetarëve kërkojnë emra të rinj dhe të pakorruptuar për kryetarë komune.
Më 16 gusht VMRO DPMNE publikoi listën me 26 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve vetëm një femër.
Veç VMRO DPMNE-së, listat e plota me kandidatë për kryetarë komunash i kanë publikuar thuajse të gjitha partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore, si: koalicioni i kryesuar nga LSDM, BDI, koalicioni ASh-Alternativa, Lëvizja Besa, PDSH dhe parti të tjera.
Afati i fundit për dorëzimin e Listave me kandidatë për kryetarë komunash dhe Listat për këshilltarë komunal është 11 shtatori, në mesnatë.
SHPËTIM NUREDINI
