Maqedoni

Dorëheqjet e funksionarëve, Zaev: Vendimi i bazuar në rezultatet e hetimeve

11.09.2021 15:10

Për dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, zëvendës të tij Ilir Hasani dhe drejtorët e spitalit të Tetovës Besimi dhe Etemi...

Për dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, zëvendës të tij Ilir Hasani dhe drejtorët e spitalit të Tetovës Besimi dhe Etemi, kryeministri Zoran Zaev do të vendosë në përputhje me rezultatet e hetimeve. Në komunikatën me shkrim drejtuar opinionit Zaev dorëheqjet I vlerëson si akt të lartë moral dhe demostrim të përgjegjësisë.
 
Përgjegjësi do të ketë në bazë të fakteve forenzike e jo politike siguron kryeministri, I cili beson në punën që bëjnë institucionet e hetuesisë dhe gjykatat dhe bashkangjitjen edhe te ekspertëve gjerman.   
“Duke pasur parasysh se hetimi po realizohet me dinamikë dhe profesionalizëm të lartë, vlerësimi dhe vendimi im sa u përket dorëheqjeve të dorëzuara do ta bazoj ekzkulizivsht në fakte të cilat I marr nga hetimi gjegjësisht në përputhje me shkaqet e konstatuara për shpërthimin e zjarrit. Pres që kjo të ndodh shpejt periudhën që vijon, andaj apeloj deri tek institucionet në hetim të shpejtë dhe thelbësor”, thotë kryeministri Zaev. 
 
Dorëheqja e Filipçes, VMRO: E detyruar, nevojitet përgjegjësi penale 
 
Nga VMRO – DPMNE thonë se dorëhqeja e Fillipçes ishte e detyruar dhe jo morale, që më pas të mos pranohet nga kryeministri. Partija e Mickovskit kërkon përgjegjësi penale ku do të zbardhen shumë pyetje rreth ndërtimit të objektit modular dhe prezencës së familjarëve në Kovid qendrën e shkrumbuar.
 
“Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të duhet ti japë hetimi objektiv, dhe kjo s’do jetë e mundur pa dorëheqjet e Filipçes, Grubit dhe Zaevit. Nuk na duhet hetim I stilit kadija ju padit-kadija ju gjykon; por hetim I vërtetë pa këta bartës të fuqisë. Kështu siç po qëndrojnë punët, kjo është pikëlluese për popullin, një skenar nënçmues të jipet dorëheqje dhe mos të pranohet. Kjo dëshmon se sa të njëjtët ndjejnë përgjegjësi. LSDM dhe Zaev po bëjnë teatër, janë duke organizuar mbështetje partiake për Venko Filipçen. Kjo flet për fundin e moralit“, u shpreh Rashella Mizrahi nga VMRO – DPMNE. 
 
Drejtorët  e IShP-ve në mbështetje të Filipçes
 
Drejtorët institucioneve publike shëndetësore nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit njoftojnë se nuk pranojnë dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë. Sipas tyre Filipçe njeh më së miri funksionimin e sistemit shëndetësor në këto 18 muaj pandemie.
 
“30 pacientë sot po luftojnë për jetë. Po kurohen në sistem të cilin e vendosi dhe çdo ditë e menaxhon bashkë me gjithë ne Venko Filipçe. Ai në fakt është shtylla e këtij sistemi, sistem i cili u dëshmua se shpëton jetë. Falë atij sistemi arritëm që të shërojmë të sëmurët nga kovidi dhe njëkohësisht të kujdesemi edhe për të gjithë pacientët e tjerë me sëmundje të tjera, që nga fillimi i pandemisë,” thuhet midis tjerash në letrën e drejtorëve të të gjitha Institucioneve të Shëndetit Publik.
 
Gjatë ditës së sotme dy hetues nga Gjermania arritën në vendngjarje për të mësuar shkaqet që çuan në shkrumbimin e spitalit modular me pasojë 14 viktima. Javën që vjen priten përparimet e para nga hetimi.
 
MERAL ISMAILI