Botë
Sulmet terroriste të 11 shtatorit, FBI deklasifikon një dokument
12.09.2021 18:36
FBI ka deklasifikuar një dokument që flet për lidhjet midis zyrtarëve sauditë dhe dy prej sulmuesve të 11 shtatorit...

Të afërmit e viktimave të sulmeve terroriste kanë kërkuar prej kohësh publikimin e dosjeve, duke pretenduar se zyrtarët sauditë kishin njohuri paraprake, por nuk u përpoqën të ndalonin sulmet.
Megjithatë dokumenti nuk dëshmon se qeveria saudite ishte e lidhur me komplotin e 11 shtatorit. Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve ishin shtetas sauditë.
Përpara deklasifikimit, ambasada saudite në Uashington përshëndeti veprimin dhe mohoi edhe një herë çdo lidhje midis tyre dhe rrëmbyesve, duke i përshkruar pretendimet e tilla si “të rreme dhe dashakeqe”.
Dokumenti u deklasifikua në 20 vjetorin e sulmeve më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane – gati 3,000 njerëz u vranë pasi u rrëmbyen katër avionë.
Dokumenti i FBI-së me 16 faqe është redaktuar shumë. Ai bazohet në intervistat me vetëm një burim, identiteti i të cilit është i fshehur dhe përshkruan kontaktet midis një numri shtetasish sauditë dhe dy prej rrëmbyesve të aeroplanëve me të cilët u kryen sulmet terroriste. Rrëmbyesit u paraqitën si studentë për të hyrë në SHBA në vitin 2000.
Dokumenti i FBI thotë se ata më pas morën mbështetje logjistike të konsiderueshme nga Omar al-Bayoumi, për të cilin dëshmitarët thanë se ishte një vizitor i shpeshtë i Konsullatës Saudite në Los Angeles, pavarësisht statusit të tij në atë kohë si student.
