Maqedoni
Zjarri në spitalin modular, Zaev: Nuk kam informacion në lidhje me hetimin
13.09.2021 13:44
Po vazhdojnë hetimet rreth tragjedisë që ndodhi në spitalin Modular të Tetovës të mërkurën e kaluar.....

Po vazhdojnë hetimet rreth tragjedisë që ndodhi në spitalin Modular të Tetovës të mërkurën e kaluar, ku zjarri që shpërtheu mori jetën e 12 pacientëve dhe dy qytetarëve që përkujdeseshin për të sëmurët Covid brenda spitalit. Kryeministri, Zoran Zaev, thotë megjithatë se nuk ka asnjë informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve, e fton qytetarët të presin informacionet nga institucionet që po kryejnë hetimin.
“Nuk kam asnjë informacion mbi statusin e hetimit. Unë e di që ekspertët mjeko -ligjorë nga Ministria e Brendshme punojnë së bashku me ekipet, nga ISSH -ja për zjarret, ekspertët nga Gjermania kanë mbërritur. Për mua është e rëndësishme që të ketë një rezultat të shpejtë sepse qytetarët e kërkojnë atë, por edhe Qeveria, institucionet, raporti të jetë ekspert, të japë të gjitha përgjigjet…Institucionet do të japin informacion të detajuar. Këto janë ndërtesa modulare, një projekt i Bankës Botërore i zbatuar përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale përmes linjës së kreditit për nevojat e çështjeve sociale në vend dhe në përgjegjësinë për sistemin shëndetësor.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Milloshovski: Të konstatohet dorëheqja e Filipçes në kuvend
Opozita ndërkohë kërkon dorëheqjen e ministrit Filipçe. Kërkesën e bazojnë në nenin 68 të Kushtetutës, i cili i jep të drejtën kuvendit të emërojë e shkarkojnë funksionarët publikë. Një procedurë e tillë që vihet në rend dite e më pas debatohet, në fund votohet me shumicë të thjeshtë.
“Këtë propozim vendim e bazojmë në nenin 68 të kushtetutës dhe një propozim vendim të tillë kanë dorëzuar grupet parlamentare LSDM PRSD më 25 tetor të vitit 2013 për shkarkim të kësaj norme kushtetuese. Ne kemi një pyetje ndaj Xhaferit, a është zgjedhur ai nga qytetarët apo është zgjedhur që të mbrojë Ministrat.”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Zaev: Nuk mendoj se duhet të dorëhiqet e gjithë qeveria
Kryeministri Zaev pret vendimin e ekspertëve edhe për të të marrë vendimin në lidhje me dorëheqjet që kanë paraqitur ministri Venko Filipçe, bashkë me zëvendësministrin, Ilir Hasani, dhe drejtorët e spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi. Ata vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre deri në pranimin e dorëheqjeve. Potencoi se nuk ka nevojë për dorëheqje të të gjithë ekzekutivit edhe pse pranoi se bëhet fjalë për një tragjedi të madhe që i ka prekur të gjithë.
"Unë nuk mendoj se e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqjen. Filipçe po vjen në punë, derisa e gjithë puna të përfundojë ligjërisht dhe derisa të vijë një ministër i ri, të gjithë që dhanë dorëheqjen do t'i përmbushin obligimet e tyre. Hetimi do të ndikojë në mënyrën se si e marr vendimin.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në zbatimin e projektit për ndërtimin e spitaleve modulare, ishte e angazhuar kompania “BRAKO”, kompani në pronësi të ish -zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Nga atje tashmë kanë deklaruar se kanë zbatuar të gjitha standardet e kërkuara.
FLUTURA LATIFI
