Maqedoni
Ndalesa në repartet Covid, familjarët: S’ka personel për personat me nevoja të veçanta
13.09.2021 14:13
Pas skandalit se në Klinikën Infektive në Tetovë lejohej hyra e familjarëve që kujdeseshin për pacientët Covid...

Pas skandalit se në Klinikën Infektive në Tetovë lejohej hyra e familjarëve që kujdeseshin për pacientët Covid, spitali ka mbyllur dyert hermetikisht për repartin infektiv. Por, ndalesa e hyrjes së familjarëve po hap probleme për disa pacientë specifikë të diagonstikuar si pozitivë. Familjarja e një pacienti me sindromën Daun thotë se atij i është përkeqësuar gjendja edhe nga fakti që familjarët nuk janë lejuar t’i qëndrojnë pranë. Sipas tyre, ndalesa e familjarëve ndikon negativisht te këta pacientë. Thonë se ata kanë nevojë për përkujdesje të pandërprerë e spitali nuk ka kuadër të mjaftueshëm.
“Kur e përzunë nënën time, nga nervoza vëllait gjendja iu përkeqësua, i ra saturacioni dhe kot që mundoheshin me oksigjen. Pranë tij duhet të ketë non stop dikë. Kemi edhe dokument që ai është me sindromën Daun e duhet ta shoqërojë dikush. Në spital në ndërrim ka nga dy infermiere, e ndihmojnë po pak janë. Edhe ato nuk dinë ç’të bëjnë a me të afërmin tonë duhet të rrijë dikush gjatë gjithë kohës.”,- tha familjarja e një pacienti me Covid.
Nëna e këtij pacienti u lejua të hyjë në hapësirat e repartit Covid, pasi edhe ajo rezultoi pozitive. Nga Ministria e Shëndetësisë premtuan se do të ndihmojnë me kuadro shtesë të gjitha klinikat infektive ku ka mungesë personeli, përfshirë edhe spitalin e Tetovës. Atje për momentin, mungesën e kuadrit e kanë kompensuar me angazhimin e personelit mjekësor nga klinikat e tjera.
VISAR SADIKI
