Maqedoni
Hetimi në spitalin modular në Tetovë, urdhra për ekspertiza, konfiskim të dokumenteve
13.09.2021 16:13
Po vazhdon hetimi për shpërthimin e zjarrit në Spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona...

Po vazhdon hetimi për shpërthimin e zjarrit në Spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona. Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se janë dhënë një sërë urdhrash për ekspertizë dhe sigurimin e dokumentacioneve të ndërtimit. Është miratuar vendim me shkrim deri tek Ministria e shëndetësisë, për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që ka të bëjë me ndërtimin e Spitalit modular në Tetovë.
"Janë dërguar hetues nga Prokuroria Themelore e Tetovës deri tek ministria kompetente, me qëllim marrjen e dokumentacionit i cili do të jetë lëndë e shqyrtimit dhe analizave. Pesë prokurorët dërguan kërkesë për ndihmë në procedurën penale nga Prokuroria Themelore në Veles, që nga personi juridik nga Velesi të merret i gjithë dokumentacioni që ka të bëjë me ndërtimin e spitalit modular në Tetovë.",- thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Edhe nga spitali i Tetovës është kërkuar të shpjegohet se në çfarë mënyrë i kanë ruajtur kemikatet dhe lëndët djegëse.
"Në Spitalin Klinik të Tetovës në mënyrë plotësuese janë kërkuar të dhëna në drejtim të asaj se nëse Klinika ka përgatitur elaborate për ruajtjen e kemikateve dhe lëndëve djegëse, si dhe gjeneratorëve në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike, si dhe të paraqitet Plani për instalimin elektrik të Spitalit Modular. Është urdhëruar me shkrim deri tek Spitali Klinik IPSH- Tetovë që të dorëzojnë planin - elaboratin e sistemit për sigurimin hyrjen e oksigjenit në tuba dhe pajisje për Spitalin Modular në Spitalin Klinik të ISHP-së në Tetovë." ,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Nga EVN është kërkuar plani për instalimin e tërësishëm elektrik në Spitalin modular në Tetovë. Është urdhëruar të gjinden edhe të dhëna nga personi përgjegjës për ndërtimin, personit që ka pasur autorizim të mbikëqyrë ndërtimin,të dorëzohet raport se nëse është kryer pranim teknik dhe nëse është bërë, kush e ka bërë të njëjtën , kush ka përgatitur specifikimin teknik për furnizimin publik për spitalet modular në RMV. Është urdhëruar edhe ekspertizë ndërtimore deri tek Instituti i ndërtimtarisë, në mënyrë që të mblidhen mostrat e materialit ndërtimor të djegur, për të shqyrtuar dhe shpjeguar se çfarë materiali ka pasur Spitalin Modular në Tetovë.
Prokuroria vazhdon të dëgjojë edhe dëshmitë e personat që japin informacionin e nevojshëm në lidhje me ngjarjen tragjike. Inspektorëve për krimin kopjuterik pranë SPB-Tetovë i është urdhëruar të sigurojnë të gjitha video-incizimet e publikuara në rrjetet sociale, te bëhen procesverbale për bisedat e zhvilluara eventuale pas çka do të dëgjohen edhe dëshmitarë që kanë ndërmarrë ndonjë veprim atë natë. Ndërkohë, Inspektorati Sanitar-Shëndetësor ka kryer të dielën kontroll të jashtëzakonshëm në Spitalin Klinik të Tetovës. Nga ky inspektorat thonë se konkluzionet do t’i japin pas përfundimit të hetimit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
