Botë

Merkel në Tiranë, takim me liderët e Ballkanit Perendimor

14.09.2021 09:28

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në prag të largimit të saj nga politika, sot në Tiranë mbledh liderët e Ballkanit Perendimor....

Kancelarja gjermane, Angela Merkel në prag të largimit të saj nga politika, sot në Tiranë mbledh liderët e Ballkanit Perendimor.

Në plan të parë të takimit me krerët e qeverive të gjashtë vendeve,  do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime kokë më kokë me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita e Merkel vjen në kuadër të procesit të Berlinit.
 
Dje Merkel vizitoi Beogradin prej nga i ka kërkuar BE më shumë kompromis për shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen. Merkel tha, se “Për BE është një interes absolutisht strategjik që të pranojë këto vende pasi do të ketë ndikime nga rajone të tjera të botës, nëse BE nuk ecën sa duhet shpejt përpara.”  Merkel lëvdoi progresin e Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, por paralajmëroi megjithatë për përpjekje të tjera në drejtim të integrimit. “Për hapjen e kapitujve të tjerë të procesit të zgjerimit sidomos në drejtim të sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme që të bëhen përparime”. Ajo inkurajoi për hapa të tjerë në drejtim të shtetit ligjor, demokracisë, pluralitetit dhe shoqërisë civile.”
 
Merkel u shpreh në Beograd edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë. Vërtet që disa vende të BE nuk e kanë njohur Kosovën, por ky problem duhet të zgjidhet në fund të procesit të anëtarësimit. “Unë jam për një roadmap, në të cilën të zgjidhen më parë të gjitha çështjet e tjera.”