Maqedoni

Të hënën u regjistruan nxënës 50 të infektuar, Carovska: Vetëm 0.02 % raste aktive në shkolla

14.09.2021 14:48

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 50 raste të nxënësve të infektuar me Kovid-19....

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 50 raste të nxënësve të infektuar me Kovid-19, ndërsa që nga fillimi i vitit shkollor raste pozitive janë regjistruar 500 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Por ministrja e Arsimit, Mila Carovska, thotë se gjendja në shkolla është stabile dhe duhet vazhduar mësimi me prezencë fizike. 
 
“0,02% është përqindja e nxënësve me raste të reja në ditën e kaluar, përkatësisht të hënën. Ndërsa aktiv që nga fillimi i vitit shkollor janë 0,2%, një pjesë e të cilëve tanimë kanë dalë nga procesi i izolimit. Për momentin me prezencë fizike në vend janë rreth 240 mijë nxënës.”,- tha ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
MEGJASHI: Teste falas për nxënësit dhe stafin e shkollave
 
Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë MEGJASHI ikërkon Ministrisë së Arsimit futjen e testeve të detyrueshme falas për të gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Ankohen se disa drejtorë nuk organizojnë orë online për fëmijët në karantinë, duke u privuar kështu për dy javë të drejtën për mësim. 
 
“Jotransparenca e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe mungesa e informacionit në lidhje me numrin e rasteve aktive në shkolla, rrit edhe më tej dyshimet dhe ankthin tek prindërit dhe ne si organizatë. Ne kërkojmë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të bëjë teste të detyrueshme falas për të gjithë nxënësit dhe stafin në shkolla për të parandaluar përhapjen e pakontrolluar të virusit në shkolla, i cili në mënyrë të pashmangshme do të çojë në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e shumë njerëzve dhe sigurisht që do të detyrojë sistemin arsimor të kthehet me mësim online.”,- thonë nga MEGJASHI. 
 
Ministrja e Arsimit, Mila Carovska, sqaron se vetëm 2% e nxënësve aktualisht e ndjekin mësimin online në arsimin fillor dhe 7% në arsimin e mesëm, ndërsa thekson se Ministria e Arsimit nuk vendos për testime apo protokolle. 
 
“Në arsimin fillor 2 për qind e nxënësve mësojnë online për arsye të ndryshme mjekësore dhe jomjekesore, në arsimin e mesëm katër komuna filluan online në javën e parë, ndërsa edhe java e dytë në Tetovë dhe Gostivar mbetet online, për këtë shkak kemi rreth 7 për qind nxënës online në arsimin e mesëm. MASh nuk vendos për testime, as për protokolle sepse autoritetet shëndetësore dëshmuan se me sukses po përballen  me pandeminë dhe ne vazhdojmë t’i ndjekim instruksionet që i jep Komisioni për sëmundje ngjitëse.”,- u shpreh ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska.
 
Avokati i Popullit: Lëshime në protokolle, shëndeti mbi të gjitha
 
Edhe zyra e Avokatit të Popullit ka vërejtje për lëshime gjatë protokolleve për mësim në kushte pandemie. Thonë se kanë pranuar ankesa të shumta në lidhje me kohëzgjatjen e orëve mësimore dhe mbajtjen gjatë kohë e maskave, gjë që shton problemet për fëmijët,  numrin e fëmijëve në klasa që pamundëson respektimin e distancës fizike. Probleme shtesë për fëmijët që ndjekin mësimin online, i cili me raste nuk zhvillohet fare edhe për shkak të problemeve teknike. Problem i madh është edhe mungesa e asistentëve personalë për nxënësit me aftësi të kufizuara.
 
Prindërit raportojnë se procedura për asistent personal është e ndërlikuar. Edhe Megjashi edhe Avokati i Popullit, kërkojnë që MASH të ndërmarrë veprime urgjente për gjithëpërfshirjen e  këtyre fëmijëve në procesin arsimor. Edhe Avokati i Popullit ankohet  për mostransparencën e MASH, që nuk publikon shifrat po vetëm përqindjet e fëmijëve të infektuar. MEGJASHI deklarohet ndërkohë edhe kundër futjes së mundshme të vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve 12 vjeç. 
 
FLUTURA LATIFI