Partitë politike po shpalosin përbërjen e listave me kandidatë
Partitë politike në vend janë në pritje të konfirmimit...

Partitë politike në vend janë në pritje të konfirmimit të kandidaturave nga ana e KShZ-së, për të propozuarit e tyre për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ndërkohë, nga BDI kanë bërë të ditur se në zgjedhjet lokale do të garojë me lista për këshilltar komunal në 35 komuna, kurse me kandidat për kryetar komune në 18 komuna. Në gjashtë komuna bartësit e listave për këshilltarë do të jenë gra.
“Në gjashtë komuna si në Strugë, Çair, Shuto Orizare, Mavrovë, Kumanove dhe Manastir, bartëse të listave për këshilltarë komunal janë përfaqësuese të gjinisë femërore, pra gra. Sipas kësaj në katër komuna urbane dhe dy komuna rurale ne kemi zgjedhur që ta zhvillojmë dhe avancojmë edhe më tutje përcaktimin tonë programor për barazi gjinore dhe për respektim të grave të denja në politikë.”,- tha Arta Bilalli Zendeli nga BDI.
Pas BDI-së listën më të madhe për kryetar komune dhe këshilltar komunal e kanë koalicioni ASH-AA. Ky koalicion do të garojë për kryetar komune në 15 komuna, kurse me këshilltar komunal në gjithsej 29 komuna.
Lëvizja BESA në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojë me 11 kandidatë për kryetarë komunash dhe 23 bartës së listave për këshilltarë.
“Lëvizja BESA hyn në garë me kandidatët më të mirë, me njerëz profesionist, me integritet dhe dinjitet, të cilët me mirë do mund të artikulojnë zërin e qytetarëve dhe janë të gatshëm që të japin gjithçka nga vetvetja”,- thanë nga Lëvizja Besa. Edhe PDSh ka publikuar listën me kandidat për kryetar komunash dhe këshill komunal. PDSH me kandidatë të vet do të garojë në 13 komuna, ndërsa do të ketë edhe 16 lista për këshilltarë komunal.
Për herë të parë që në rrethin e parë partitë shqiptare në pushtet në disa komuna do të bashkëpunojnë me partnerin maqedonas LSDM-në, derisa të njëjtën do ta bëjë edhe opozita shqiptare me VMRO-DPMNE-në opozitare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
