VMRO-DPMNE: Dorëheqja e Filipçes të jetë pikë e parë në seancë
Deputetët e opozitares VMRO-DPMNE...

Deputetët e opozitares VMRO-DPMNE në seancën e parë plenare të këtij sesioni parlamentar, kërkuan dorëheqjet e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësministrit Hasani të vendosen si pikë e parë e rendit të ditës.
Theksuan se serioziteti i situatës me pandeminë dhe zjarri në spitalin modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona, nuk lejojnë që Zaev të bëjë propagandë.
“Konsiderojmë që më e pakta që mund ta bëjë Kuvendi është të konstatojë dorëheqjen e ministrit Filipçe i cili mbart përgjegjësi subjektive për këtë katastrofë. Ndërsa për përgjegjësinë e tij subjektive apo edhe të personave të tjerë do të vendoset në procedurë hetimore të PTHP-së. Propozoj që pika e parë e rendit të ditës të jetë kjo dhe presim mbështetje nga të gjithë deputetët.”,- tha Antinio Milloshevski nga VMRO-DPMNE.
“Ka vendosur ministri që për arsye morale të japë dorëheqje. Tani do t’ia kontestoni atij dëshirën e tij, do ta bëni jo të moralshëm vet ministrin.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Xhaferi: Qeveria emëron dhe shkarkon ministra
Por, kreu i kuvendit, Talat Xhaferi, tha se e kupton motivin, por nuk mund të bëjë precedent në këtë rast në kundërligjshëm me rregulloren e Kuvendit. Kompetencë në këtë rast, sipas Xhaferit, është e Qeverisë për të emëruar dhe shkarkuar ministra.
“Unë nuk e kontestoj motivin në të cilin thirreni, kontestoj procedurë për faktin që gjatë ditës së sotme zyrtarisht jeni drejtuar tek unë siç është procedura me propozim vendim në cilin thatë se e keni bazuar në nenin 184 të rregullores, duke u thirrur në kompetenca të Kuvendit e që nuk do mend se Kuvendi ka kompetencë për të zgjedhur dhe për të shkarkuar të zgjedhur në këtë vend, por kur bëhet fjalë për anëtarë të qeverisë, procedura janë të përshkruara mbi parimin e ndarjes së pushteteve në këtë vend.”,- u shpreh kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
ASh kërkon përgjegjësi për zjarrin: Fajtorë komuna, spitali e inspektorët komunal
Nga ASH sërish kërkuan përgjegjësi për rastin e spitalit të Tetovës. Adnan Neziri nga kjo parti theksoi se përgjegjës për zjarrin tragjik në Tetovë janë Komuna, Spitali dhe inspektorët komunal.
“Pyesim publikisht komunën, spitalin dhe të gjitha institucionet tjera relevante: - Përse në spitalin modular nuk ka pasur alarme zjarri?- Përse në spitalin modular nuk ka pasur asnjë pajisje për mbrojtje nga zjarri? - E dimë se kontraktues kryesor ka qenë firma Brako e partnerit tuaj të kamotshëm, Koço Angjushev. A ka pasur nënkontraktues dhe cilët janë këta? Veçanërisht parashtrojmë pyetjen, kush ka bërë instalimet elektrike? A është bërë mbikëqyrje dhe pranim teknik i objektit? Kush e ka bërë mbikëqyrjen?”,- tha deputeti i ASH-së, Adnan Neziri.
Pas tragjedisë në spitalin modular të Tetovës dorëheqje vetë ofruan zëvendësministri, Ilir Hasani, dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, për të cilat kryeministri ka thënë se do të vendosë pasi të dalë raporti rreth zjarrit në spitalin modular të Tetovës. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
