Maqedoni
Rriten shpenzimet mujore, LSMV: Dy rroga mesatare, nuk mbulojnë shpenzimet
15.09.2021 13:34
Një familje katër anëtarëshe ka harxhuar në gusht 214 denarë më shumë se në korrik...

Një familje katër anëtarëshe ka harxhuar në gusht 214 denarë më shumë se në korrik, tregon analiza e fundit e shportës mujore, e kryer nga Lidhja e Sindikatave. Sipas të dhënave, për të mbuluar nevojat themelore në gusht, një familje me katër anëtarë, kishte nevojë për 34,342 denarë. Por, shuma shtohet, nëse familja ka të paktën një nxënës në shtëpi, e atëherë kësaj familjeje i duhen 42,342 denarë për të kaluar muajin.
“Një barrë e veçantë për një familje me katër persona, është fillimi i vitit shkollor, për të cilin, sipas të dhënave publike, prindërit duhet të lënë mënjanë të paktën 8,000.00 denarë për çdo fëmijë që ndjek arsimin fillor ose të mesëm.",- thonë nga LSMV.
Lidhja e Sindikatave konsideron se dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet prandaj e cilësojnë të justifikuar kërkesën që paga minimale të jetë së paku 60% e pagës mesatare.
“Nëse rritja e kostos së jetesës dhe çmimeve vazhdon me intensitet të tillë, atëherë as tre paga minimale nuk do të ishin të mjaftueshme. Nëse rritet vetëm paga mesatare dhe paga minimale mbetet njësoj, ose rregullohet minimalisht pa pranuar vërejtjet e sindikatave, do të kemi një trend të varfërimit të qytetarëve.”,- paralajmërojnë nga LSMV.
Më shumë para ndahen për ushqim dhe pije - 14,633 denarë, për strehim 10,818 denarë, 2,382 denarë për higjienën personale, dhe minimum 2,529 denarë për transport. Një minimum prej 1068 denarë ndahen për aktivitetet kulturore dhe 736 denarë për shëndetësi.
GYLTENE SINANI
