Maqedoni

24 nxënës të rinj të infektuar, Carovska: Nuk ka nevojë për mësim online

15.09.2021 14:17

Vetëm të martën shkollat në vend kanë njoftuar për 24 nxënës të infektuar me Covid-19.....

Vetëm të martën shkollat në vend kanë njoftuar për 24 nxënës të infektuar me Covid-19. Por, Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, këmbëngul se tani për tani nuk ka nevojë që nga mësimi me prani fizike nxënësit të kalojnë në mësim online. Potencon se gjendja me pandeminë  po ndiqet me kujdes dhe nëse ka indicie për përkeqësim, do të ndryshohet skenari i mësimit. 
 
“Numri i nxënësve pozitiv në Covid-19 në shkolla ka shënuar 0.01 për qind, që është një përqindje e ulët në krahasim me vitin e kaluar kur kishim rreth 1 për qind nxënës pozitiv me prani fizike. Unë pres që do të mundemi t’i mbajmë këto përqindje të ulëta, sepse interes i nxënësve është që të vijojnë mësimin në shkollë.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.
 
Tejkalimi i numrit të nxënësve në klasa, Carovska: Është shkelje, nuk guxon të ndodhë
 
Në pyetjen se si është e mundur që në shkollat që gravitojnë në Komunën e Çairit tejkalohet numri i nxënësve në një klasë dhe arrin deri në 37, në kundërshtim me protokollet, Carovska doli me përgjigje se një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë dhe nuk do të mungojë reagimi i institucioneve kompetente. 
 
“Numri i nxënësve që duhet të regjistrohen në një klasë nuk mund të  jetë 37, në asnjë shkollë, asnjëherë. Nëse  kjo ndodh  kështu është shkelje dhe këto janë akuza të rënda dhe unë do ju thosha të tregoni shkollën konkrete, klasën dhe Inspektorati shtetëror sanitar të kontrollojë gjendjen faktike sepse unë konsideroj se institucionet kompetente duhet shpejtë të  reagojnë dhe të mos flasim për çështjet por të njëjtat t’i zgjedhim.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.
 
Sa i përket mundësisë për shkurtimin e  orëve mësimore  Carovska me përgjigje se, një vendim të tillë duhet ta merr Komisioni i sëmundjeve infektive. Sipas saj, nxënësit në Tetovë dhe Gostivar do të vijojnë mësimin online deri të hënën e ardhshme, e më pas do të vendoset nëse mësimi do të fillojë me prani fizike. 
 
FLUTURA LATIFI