Reformat në gjyqësor, IPE: Ka zhvillime pozitive, por nuk mjaftojnë
Në vend ende diskutohet mbi nevojat.....

Në vend ende diskutohet mbi nevojat për implementimin e mirëfilltë të reformave në gjyqësor, por shumë pak flitet për rezultatet e zhvillimit real të gjyqësorit, i cili duhet të përafrojë vendin në dyert e BE-së, të sigurojë sistem të pavarur dhe drejtësi për çdo qytetar.
Instituti për Politikë Europiane, i cili dy vite mbikëqyr strategjinë e reformave në gjyqësor, vëren përmirësime, por jo dhe të mjaftueshme për të qenë më evidente dhe më të prekshme për të gjitha palët e përfshira.
“Kemi zhvendosje të caktuara pozitive në gjyqësor. Përmes realizimit të dy anketave në vitin 2019/20 kemi matur cilësinë e vendimeve gjyqësore dhe këtu kemi percepsione të ndryshme mes gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve, mirëpo të gjithë konstatuan se në anketën e dytë të realizuar vitin e kaluar kemi përmirësime të caktuara në gjyqësor, por pavarësisht kësaj duhet punuar më shumë në përafrimin e këtyre dallimeve dhe implementimin e mëtejshëm të reformave”,- thuhet nga Instituti për Politikë Europiane.
Emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve, Mariçiq: Përmes strategjisë, ndryshuam kriteret
Numri “një” i drejtësisë, Bojan Mariçiq, shprehet i kënaqur me implementimin e strategjisë për reforma në gjyqësor 2017-2022 por pranon se gjithmonë mundet më mirë dhe më shumë.
“Në bazë të strategjisë për reforma në gjyqësor 2017- 2020 u zgjidh një nga vërejtjet e BE-së që kishin të bëjnë me kriteret jo të përcaktuar të qartë për emërime dhe shkarkime të gjykatësve dhe prokurorëve. Kjo është zgjidhur dhe tani kjo kemi një sërë ligjesh që japin një mundësi në një mënyrë objektive të vlerësohet puna e gjykatësve dhe prokurorëve dhe të shkarkohen dhe të emërohen ata me kritere më objektive.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Mbikëqyrja e Institutit për Politikë Europian e cila realizohet me fonde të BE-së ka treguar rritjen e numrit të rasteve që zgjidhen përmes meditacionit. Për të rrumbullakosur me sukses strategjinë e filluar duhet të miratohen edhe ligjet për mediacion, për procedurë penale dhe kontestimore.
Ministria e Drejtësisë vitin e ardhshëm do të miratojë strategjinë e re për gjyqësor, implementimi i së cilës do të fillojë në vitin 2023. (Rexhep Qamili, TVM2)
