Zjarret në Maqedoninë e Veriut, BE me ndihmë financiare për familjet e goditura

15.09.2021 15:23

Bashkimi Evropian do të sigurojë 140.000 euro....

Bashkimi Evropian do të sigurojë 140.000 euro mjete humanitare për t’u ndihmuar familjeve më të goditura dhe atyre që  ishin në radhët e para në luftën me zjarret që përfshinë vendin tonë  në fund të  korrikut.

Shfrytëzuesit e kësaj ndihme do të jenë 12.600 persona. Një pjesë e mjeteve humanitare janë ushqim dhe pako higjienike, pako për foshnje, sete për ndihmën e parë, dyshekë, shtretër dhe aparate për kuzhinë. Gjithashtu, do të vazhdojë mbështetja për ekipet e zjarrfikësve që veprojnë në terren.

Mjetet janë pjesë e kontributit të përgjithshëm të BE-së për ndihmë urgjente gjatë katastrofave, të Federatës ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së kuqe.

Kjo ndihmë nga  Bashkimi Europian, mbështetet  edhe nga Kryqi i Kuq në vend  i cili do të ndihmojë në dërgesën e ndihmës së nevojshme, duke përfshirë ushqim dhe prodhime të tjera bazë.

Maqedonia e Veriut u godit nga vala e nxehtë nga 30 korriku që solli zjarre të mëdha në disa rajone. Një person humbi jetën disa të tjerë u lënduan, kishte djegie të  pyjeve, tokës pjellore, të mbjellave dhe pronës private.