Maqedoni
Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor
16.09.2021 11:21
Në prag të zgjedhjeve lokale, dje në kuvend u erdh radha ndryshimeve në Kodin Zgjedhor....

Në prag të zgjedhjeve lokale, dje në kuvend u erdh radha ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ato u votuan me 78 vota "për", dy "kundër" dhe një "abstenim" dhe 24 vota "për" dhe një "abstenim" nga deputetët nga bashkësitë më të vogla etnike.
Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor, janë si më poshtë:
- Qytetarëve u mundësohet që të realizojnë të drejtën e votës, edhe nëse afati i dokumenteve të identifikimit ka skaduar në momentin e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve.
- Mundësohet regjistrimi i votuesve në Listën Zgjedhore pas ankesës së miratuar për mbrojtjen e të drejtës votuese, gjë që deri tani nuk ishte e mundur ligjërisht.
- Regjistrohen në listën zgjedhore qytetarët, të cilëve me vendim gjyqësor u është marrë aftësia për punë, nëse ka kushte që ata ta shprehin vullnetin e tyre.
- Rregullohet mënyra e votimit gjatë pandemisë dhe në listën zgjedhore shtohet një bar kod i veçantë për çdo votues, në funksion të rritjes së kontrollit të votimit me shenja të gishtërinjve si rezultat i vendosjes së sistemit të votimit me terminale për shenja të gishtërinjve që janë risi e këtyre zgjedhjeve.
- Rregullohet mandati i KSHZ-së dhe vendoset mënyrë e re e zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të KSHZ-së.
- Harmonizohen afatet për veprimin pas ankesave në KSHZ dhe ankesave në Gjykatën Administrative.
- Të gjithë partive ose parashtruesve të listave të pavarura , u mundësohet tërheqja e listave në afat prej 48 orëve nga konfirmimi i tyre në organet zgjedhore.
- Definohet përgjegjësia e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore lidhur me përmbajtjen e shpalljeve, komunikatave, materialit reklamues etj.
Pushteti thotë se në ligj janë inkorporuar rekomandimet e OSBE ODIHR-it. Identifikimi përmes shenjave të gishtërinjve, për opozitën është mënyra e vetme për process të besueshëm. Partitë e vogla ankohen se edhe në ndryshimet e reja, po anashkalohen në oraret e reklamimit me pagesë.
Ndyshimet hyjnë në fuqi pas shpalljes në Gazetën Zyrtare dhe do të vlejnë që nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
