Maqedoni
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mariçiq: Më mirë vonë se kurrë
17.09.2021 17:38
Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, konsideron se ndryshimet në Kodin Zgjedhor....

Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, konsideron se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, edhe pse të vonuara, kanë qenë të domosdoshme për të garantuar një proces më të mirë zgjedhor. Inkurajon Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që të zbatojë Kodin Zgjedhor konform ndryshimeve të reja.
“Pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve janë rekomandimet të OSBE-ODIHR-së. Falënderoj partitë politike në Kuvend që këtë e bën në moment të fundit para zgjedhjeve. Kuptohet, kjo nuk është koha më e mireë. Do të ishte më mirë nëse kjo ndodhte para gjashtë muaj, por edhe tani nuk është vonë dhe besoj se kolegët në KSHZ do të zbatojnë në kohë të gjitha detyrimet nga procesi zgjedhor, konform këtyre ndryshimeve.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Maksuti: ndryshime po, por edhe zbatim
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vazhdimisht shënojnë avancim të kornizës zgjedhore por problem mbetet zbatimi i tyre në praktikë, thotë profesori universitar, Mersin Maksuti. Sipas tij, me ndryshimet e reja nuk u përfshinë çështjet bazë, si: listat e hapura dhe përcaktimi i njësive zgjedhore.
“Ndryshimi kryesor mbetet edhe më tej se sa institucionet e vendit do t’u qasen me seriozitet vetë ndryshimeve të cilat i arritën, madje me konsensus të të gjitha partive politike. Sidomos ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me shpenzimet fondeve publike, në mënyrë të veçantë automjetet të cilat janë keqpërdorë në masë të madhe.”,- tha profesori universitar, Mersin Maksuti.
Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor burojnë nga raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020, të cilat trajtojnë dispozitat e Kodit Zgjedhor ekzistues. Bëhet fjalë për 13 ndryshime, ndër të cilat është rritja e llogaridhënies, transparencës dhe kontrollit të burimeve shtetërore gjatë procesit zgjedhor; përcaktohet përgjegjësia e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore në lidhje me përmbajtjen e njoftimeve dhe materialit reklamues; rregullohet metoda e votimit në rast epidemie si dhe bëhet i mundur punësimi i personave për mbështetje teknike shtesë për organet zgjedhore në lidhje me kryerjen e votimit me gjurmë gishtash.
SHPËTIM NUREDINI
