Prilep, dëmtohet tabela elektrike e spitalit modular

19.09.2021 17:44

Policia po heton se kush dhe si e ka dëmtuar tabelën e energjisë elektrike....

Policia po heton se kush dhe si e ka dëmtuar tabelën e energjisë elektrike në Spitalin modular në Prilep ku po kurohen 17 pacientë.

Për të zbardhur rastin i cili fatmirësisht kaloi pa pasoja në jetë,do të kontrollohen edhe kamerat e sigurisë që janë vendosur rreth spitalit modular.Dëmtimi i tabelës ishte vërejtur nga sigurimi i spitalit, i cili kishte njoftuar menjëherë elektricistin e spitalit, ndërkohë ishte thirrur edhe policia.

Nga Ministria e shëndetësisë kërkojnë nga autoritetet të zbardhin rastin.

“Spitali i Përgjithshëm në Prilep deri te Ministria e Punëve të Brendshme, në mbrëmje ka paraqitur rastin e një dëmtimi fizik të tabelës së energjisë elektrike në Spitalin Modular…Energjia elektrike në spitalin modular është në funksion, sepse tabela e jashtme nuk furnizon me energji elektrike pajisjet në spital" - njoftojnë  nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe nga Spitali i Prilepit vërtetojnë se dëmtimi i tabelës së energjisë elektrike nuk ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike apo të ketë shkaktuar ndonjë problem në funksionimin e spitalit modular.

Nga 17 pacientët e shtruar, 14 janë në mbështetje të oksigjenit, ndërsa 2 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pas tragjedisë në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, janë shtuar edhe kontrollet e inspekcionit dhe mbykqyrjes edhe në spitalin e Prilepit.

Ka pasur kontrolle të jashtëzakonshme të aparaturës kundër zjarreve, energjisë elektrike dhe instalimit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)