Maqedoni

Mbi 1 milion të regjistruar në vend, suksesi i procesit - përplasen pushteti dhe opozita

20.09.2021 15:22

Regjistrimi po hyn në fazën finale. Numri i personave të regjistruar në vend ka tejkaluar të dielën shifrën prej mbi një milion....

Regjistrimi po hyn në fazën finale. Numri i personave të regjistruar në vend ka tejkaluar të dielën shifrën prej mbi një milion. Të dhënat e fundit të ESHS-së tregojnë deri në orën 20:00 të së dielës, janë regjistruar 1,037,309 persona, 323,286 familje dhe 438,705 banesa në të gjithë vendin. Për kreun e ekzekutivit, Zoran Zaev, kjo është konfirmim për sukses të procesit edhe përkundër përpjekjeve për të bllokuar sistemin. 
 
“Sistemi disa herë u sulmua nga hakerët dhe që të kryhet ky sulm dikush nga brenda duhet të jep informata në lidhje me IP adresat. Punojnë mbi 5000 regjistrues dhe këtu hetimi nuk mund të ketë rezultat konkret. Por më e rëndësishme është se vendosen bllokadat nga teknikët e IT-së dhe deri tani regjistrimi po realizohet me sukses. Mesatarisht kemi nga 100 mijë të regjistruar, e kemi kaluar numërim prej mbi 1 milion qytetarë, dhe mundem të konstatoj se deri më tani procesi është i suksesshëm dhe argument se do të jetë të mbaroj me sukses.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Partia e majta mendon ndryshe. Lideri i saj Apasiev, thotë se është i madh numri i atyre që refuzojnë të regjistrohen e kjo mjafton që procesi të quhet i pavlefshëm.
 
“Mbi 200,000 qytetarë deri më tani kanë refuzuar të regjistrohen! Nëse për ta do të kishin shkruar dënime, do të kishte dëshmi,  ndërsa në këtë mënyrë nuk ka asnjë gjurmë. Sipas standardeve statistikore botërore, një regjistrim i cili bojkotohet  nga vetëm 2.5% e popullsisë konsiderohet i pavlefshëm. Në kushtet tona kjo do të thotë se mjafton që 50,000 njerëz të refuzojnë të marrin pjesë në falsifikim.”,- ka shkruar Apasiev në facebook.
 
Por nga Enti i Statistikave i kanë mohuar të dhënat për bojkot të regjistrimit, duke thënë se këto numra janë të shpikura, jo të sakta dhe nuk përputhen me realitetin.
 
GAZMEND KURTISHI