Maqedoni
Covid-19 në çerdhe, Shahpanska: 13 edukatore dhe 9 fëmijë pozitivë
20.09.2021 15:51
Në të gjithë vendin vetëm 13 edukatore dhe 9 fëmijë janë pozitiv me Covid-19....

Në të gjithë vendin vetëm 13 edukatore dhe 9 fëmijë janë pozitiv me Covid-19, theksoi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpanska. Ajo tha se situata me Covid-19 nëpër çerdhe është stabile dhe se nuk është vërejtur përhapje e virusit në këto institucione.
“Gjendja në çerdhe është stabile dhe tanimë një vit po qëndron si e tillë. Sot në mbledhjen e shtabit të krizës kanë raportuar se vetëm 13 edukatore dhe të punësuar të tjerë në çerdhe janë pozitivë në gjithë shtetin dhe vetëm 9 fëmijë. Në shtatë ditët e fundit, ne kemi bërë një inspektim të jashtëzakonshëm për respektimin e protokolleve, i cili u realizua nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Raporti i tyre i dërguar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale është se protokollet ndiqen në mënyrë të vazhdueshme, se nuk ka transmetim horizontal të virusit në kopshte.”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpanska.
Ministria e Shëndetësisë: Numri i të infektuarve me Covid 19 shënon ulje
Ndërkohë sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të reja me coronavirus shënon ulje, por mbetet i lartë numri i vdekjeve. Sipas autoriteteve, më së shumti nga coronavirusi pësojnë personat e pavaksinuar. Siç informoi ueb-faqja “ourworldindata.org” sipas numrit të vdekjeve, javën e kaluar Maqedonia ka qenë e para në Evropë, ndërsa e katërta në botë. Më shumë të infektuar ka në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Ohër, Strugë dhe Gostivar.
REJHANE BUSHI METAJ
