Botë

Mospajtimet për paktin Aukus, BE në mbështetje të Francës

21.09.2021 10:19

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë solidarizuar me Francën...

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë solidarizuar me Francën, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve elektrike franceze, dhe të arrijë marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nëndetëse me kapacitet bërthamor.
 
Ky njoftim “ka qenë në kundërshtim me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në Indo-Paqësor”, ka thënë shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ministri i Jashtëm francez, Le Drian ka thënë se nuk ka pasur takim të planifikuar me homologun e tij amerikan, Antony Blinken, mirëpo “mund ta takojë në korridore”. Ai ka thënë se Francës i është fshehur marrëveshja e re për nëndetëse.
 
Javën e kaluar, Parisi ka marrë vendim të pashembullt, duke thirrur për konsultime ambasadorët që ka në Australi dhe Shtetet e Bashkuara. SHBA, Britania dhe Australia kanë thënë se marrëveshja e re forcon përkushtimin e tyre për rajonin e Indo-Paqësorit dhe kanë insistuar se kriza diplomatike nuk do të ndikojë në marrëdhëniet afatgjata me Francën. Marrëveshja e arritur së fundmi nënkupton se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që do të ketë nëndetëse me kapacitet bërthamor.